Për çdo pengesë që u del para, në PD e vulës kanë të njëjtën zgjidhje: përjashtimin. Tani mund të jetë radha e Gaz Bardhit që prej kohësh është shndërruar në problem për planet e Bashës për t’u rikthyer në krye të PD-së.
Kur Basha mblodhi kryesinë për caktimin e datës së zgjedhjeve, Bardhi dhe grupi i deputetëve kundërshtuan vendimin e saj. Kur Basha thirri Këshillin Kombëtar, Bardhi dhe grupi i deputetëve e bojkotuan. Ndërsa tani që Basha përgatitet të bëjë zgjedhje, Gaz Bardhi thërret Këshillin Kombëtar.
Duket se Bashës i ka ardhur në majë të hundës me ish-besnikun e tij në parti të cilin tani e akuzon se është në aleancë me Sali Berishën.
Në mbledhjen e kryesisë të martën në mbrëmje, bashistët kanë vendosur t’i çojnë një kërcënim Gaz Bardhit që mund të çojë në përjashtimin e tij nga PD e vulës. Në vendimin e Kryesisë thuhet:
“Kryesia e Partisë Demokratike vendosi të dorëzojë në Komisionin e Apelimit, Integritetit dhe Etikës, si organi statutor për vlerësimin e bazueshmërisë së veprimëve dhe akteve të Sekretarit të Përgjithshëm në Statutin e Pergjithshëm”.
Më herët, e njëjta kryesi vendosi t’ia heqë vulën Gazment Bardhi, duke ia kaluar atë Indrit Sefës, Sekretar për Çështjet Ligjore në PD zyrtare. Sakrifikimi i Bardhit nuk e shqetëson shumë Lulzim Bashën i cili për t’u zgjedhur kryetar ka përjashtuar 50 mijë antarë nga PD, sepse mbështesin Berishën.