Duke kujtuar shkrimtarin për fëmijë Dionis Bubani

0

Shkruan Xhahid Bushati

Shkrimtari Dionis Bubani (18.09.1926 – 10.02.2006) vdiq në moshën 80-vjeçare. Edhe pse i sëmurë nga zemra, edhe pse ditëve të fundit shëndeti i tij ishte rënduar, ai orët ia kishte falur procesit të bukur e të vështirë të krijimtarisë letrare. I ishte kushtuar letërsisë për fëmijë. Libri i tij i fundit ishte “Kërriçi ngjyrë floriri” (poemë humoristike, ilustrimet: Bujar Kapexhiu, Sh. B. OMSCA-1, Tiranë, 2006). E përmenda, enkas, këtë libër, për të thënë se një nga tiparet e krijimtarisë së tij të pasur e plot vlera ishte humori. E përmes humorit fin, ai përcillte tek të tjerët, bashkëbiseduesit, lexuesit të mëdhenj e të vegjël vetëm buzëqeshje. Si ajo buzëqeshja e Dionisit, që nuk vyshket kurrë!
U lind në Bukuresht në 18.09.1926. Kreu studimet e mesme në Liceun “Gjeorgj Lazer” në Bukuresht dhe së bashku me familjen do të vinte në Shqipëri në vitin 1940. Si biri i gazetarit patriot Gjergj Bubanit, i cili botonte gazetën patriotike “Kosova” në Kostançë; Dionisi trashëgoi dhuntitë e të shkruarit, dhe që në moshë të re filloi të shkruante në shtypin e kohës, si tek “Letrari i ri”, “Rinia”, etj. Dionis Bubani pati një fëmijëri të vështirë. I ati, edhe pse patriot i njohur, u burgos nga regjimi komunist si “armik i popullit”, në vitin 1944. Gjatë kësaj kohe Dionisit i duhej të bënte punë nga më të ndryshmet, që nga dhëniet e biçikletave me qira, shitës cigaresh, kartelist e daktilografist në Ministrinë e Jashtme. Ishte viti 1946 kur shkroi për herë të parë tek revista “Hosteni”, ku do të kalonte një pjesë të mirë të jetës. Gjithashtu ka punuar edhe në Estradën Profesioniste të Tiranës. Krahas gazetarisë dhe librave humoristikë, satirikë, Dionisi iu kushtua letërsisë për fëmijë. Ai la në këtë fushë një trashëgimi të çmueshme. Librat e tij lexohen me ëndje edhe sot, si: “Ujku te dentisti” (vjersha humoristike, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1973; Asdren, Sh. 1996; Logos-A, Sh. 2002); “Biçikleta me tri rrota” (vjersha, Toena, Tiranë, 1996, 2003); “Papagalli në doganë” (tregime humoristike, Toena, Tiranë, 1998); “Peshku me çadër” (vjersha humoristike, Sh. B. MËSONJËTORJA E PARË, Tiranë, 2000); “Maçoku dhe patoku” (vjersha humoristike, MËSONJËTARJA E PARË, Tiranë, 2001); “Shkumësi magjik” (tregime, Redona, Tiranë, 2003); “Çapaçuli” (tregime dhe skica humoristike, OMSCA, Tiranë, 2000; Fitues i çmimit të parë në konkursin kombëtar të letërsisë për fëmijë, në vitin 2000); “Aventurat e Çapaçulit” … 2 (prozë humoristike, OMSCA-1, Tiranë, 2001; Fitues i çmimit të Shoqatës Mbarëkombëtare të Letërsisë për fëmijë, 2001; çmimi “Penda e Argjendtë”, në vitin 2002); “Aventurat e Çapaçulit në Afrikë” … 3 (prozë humoristike, OMSCA-1, Tiranë, 2001); “Aventurat e Çapaçulit në Azi” … 4 (prozë humoristike, OMSCA-1, Tiranë, 2003); “Aventurat e Çapaçulit në Amerikë” … 5 (prozë humoristike, OMSCA-1, Tiranë, 2004); “Aventurat e Çapaçulit nga Australia në Polin e Jugut” … 6 (prozë humoristike, OMSCA-1, Tiranë, 2005). Ky serial i Çapaçulit, krahas udhëtimeve e aventurave të tij, autori kësaj here na paraqitet edhe si gjeograf, edhe si historian, edhe si biolog duke i ushqyer fëmijët me të dhëna shkencore e diturore.; “Kërriçi ngjyrë floriri” (poemë humoristike, OMSCA -1, Tiranë, 2006); Shqipërime: – Viktor Eftimiu: “Xha Veriu dhe Pranvera” (përralla, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1974); – Marius Dobresku: “Takimi te plepi i djegur” (Sh. B. Enciklopedike, Tiranë, 1996); – Sorin Teodoresku: “Zhdukja e pabesueshme e qytetit X” (tregime fantastike, Sh. B. Enciklopedike, Tiranë, 1996); – “Aventura në botën e panjohur” (përralla të zgjedhura, Sh. B. MËSONJËTORJA E PARË, Tiranë, 1999); – Mark Tuein: “Tom Sojeri dedektiv”, (Sh. B. GLOBUS R, Tiranë, 1998); – Mark Tuein: “Tom Sojeri nëpër botë” (Sh. B. GLOBUS R, Tiranë, 2001).
* * *
Mes shumë shkrimtarëve që kam njohur në jetë ka qenë dhe Dionis Bubani. Një njeri i mirë dhe krijues i kulturuar e me personalitet. Hokatar nga goja dhe si ai lumi i pastër i rridhte humori. E në këtë moment të përkujtimit ndaj kësaj figure me vlerë dhe që ka lënë gjurmë në letërsi, e, veçanërisht në letërsinë shqipe; nuk mund të harroj kur në vitin 1997, në konkursin e organizuar nga Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve për fëmijë, për librin tim “Loti i pyllit (përralla, Sh. B. “Çamaj – Pipa”, Shkodër, 1997), m’u akorua nga Ambasada Rumune çmimi “Viktor Eftiumiu”. Këtë çmim ma dha shkrimtari Dionis Bubani. Unë e kam të freskët buzëqeshjen e tij, shtrëngimin e duarve miqësisht dhe zërin e bukur që më tha: “Xhahid, suksese!”. Pak muaj më vonë, unë bëra dhe një promovim në Shkodër. Erdhi Ambasadori rumun, si dhe shkrimtarët Dionis Bubani dhe Odhise K. Grillo. Ata folën aq bukur për mua, sa në vetvete nuk e besoja që vërtetë isha “shkrimtar”. Ata sot kanë ndërruar jetë dhe unë u përulem me respekt e mirënjohje!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu