Duar që dalin nga mermeri dhe ngërthejnë adhurimin tonë dehës

0
Shkruan Albert Vataj
Duar që ngërthehen, trajta mishtore që formësojnë kontaktin, e murosur në mermer. Forcë që e sendërton me adhurim dhe bindje misterin e krijimit. Çast që ndalon kohën dhe i jep shkasit nerv dhe veprim. Duar që dalin nga guri dhe në gurë rrënjëzojnë zjarrin e tërbimit. Gishta që tendosen e muskuj që zgjojnë forcën nga miti e pleksen në një akt sublim zotërimi.
Mahnitja e këtyre detajeve është ceremoniali i atyre kremteve, me të cilat; arti dhe shpirti, dalta dhe durimi, fuqia e përtëritjeve krijuese, vullneti etern i rizgjimit të pulsit në një shpërthim dehës çsti, mrekullon botën me shastisje dhe i dhuron gjeneratave gjalljen e brezave që lindën nga legjendat, për të qenë frymëmarrje mermeri në kraharorët tona prej ajri dhe fryme.
Ji bekim shpirti i këtyre shenjtorëve që artin e bënë altar e krijimin e lartësuan në akt blatimi Zotash.
Sot në të çdoditshmen që ti rrekesh të mbushësh zakonshmërinë me të jashtëzakonshmen që mëkon arti, po, sot dhe në gjithmonshmëri, sa të ketë jetë, do të mund ta ç’burgosësh nga shkëmbi magjinë e jetës, për ta sjellë në një prehje delikate, të akullt dhe zjarrmëtarë të asaj që arti kumton përmes atij shpirti që me daltë e vullnet, me zemër e zell, bëri njeriun monument dhe gurin altar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu