I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, gazetari Elkier Bushkolaj komentoi mbi ecurinë e reformës në drejtësi, duke theksuar se sistemi aktual po e largon gjithnjë e më shumë qytetarin nga drejtësia reale, ndërsa SPAK mbetet i vetmi institucion me veprimtari konkrete.
“E sigurt është që me ‘tren bullgar’ nuk ka anëtarësim në Bashkimin Europian por përtej kësaj pothuajse gjyqet dhe raportet nëse ne i kryqëzojmë dhe me zhvillimet që i kemi këtu në Shqipëri veçanërisht ato që lidhen me sistemin e drejtësisë ti e kupton sesa larg jemi me integrimin.
Janë disa elementë. Aty flitet në fakt se gjithë reforma në drejtësi është bërë për SPAK-un.
SPAK për hir së vërtetës është pothuajse i vetmi institucion që bën një punë konkrete në raport me institucionet e tjera dhe drejtësia është larguar gjithmonë e më shumë nga qytetari.
Pra, shkrirja e gjykatave në rrethe, mbledhja e Gjykatës së Apelit në Tiranë ka bërë që numri i dosjeve stok të shkojë në 150 mijë dhe një qytetari ti duhet rreth 10 vite për të marr një vendim mesatarisht.
Me SPAK-un kanë punë 2% e shqiptarëve ose 1% e shqiparëve, pra zyrtarët e nivelit të lartë, por qytetari interesohet për ato gjyqe që konsiderohen gjyqe civile.
Sot e kësaj dite zvarriten gjykatat për një çështje banale, për një konflikt pronësie që mund të përfundojë në vetëgjyqësi e deri në çështjet e pensioneve apo të marrëdhënieve të punës”, u shpreh Bushkolaj.