Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka zhvilluar intervistën e katërt radhazi në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, ku ka dalë publikisht më i përgatitur se në daljet e mëparshme, duke prezantuar një seri denoncimesh të strukturuara në formën e dosjeve, të cilat sipas tij përmbajnë fakte konkrete dhe janë gati për nisjen e hetimeve.
Ahmetaj deklaroi se këto materiale janë investiguar personalisht prej tij gjatë muajve të heshtjes, periudhë që ai e përshkroi si një kohë presioni ekstrem, kërcënimesh serioze dhe rreziku real për jetën. Pavarësisht kësaj, ai tha se ka zgjedhur të flasë publikisht për atë që e përkufizon si një “model qeverisjeje kriminale”.
“Ka pasur një plan të diskutuar deri në eliminim fizik”
Në hyrje të intervistës, Ahmetaj foli hapur për kërcënime me vrasje, tentativa rrëmbimi dhe presion të vazhdueshëm psikologjik ndaj tij dhe familjes. Ai e cilësoi këtë periudhë si një kohë ku, sipas tij, “janë tentuar të përdoren të gjitha format mafioze”.
“Ka pasur një plan të diskutuar deri në eliminim fizik”, deklaroi Ahmetaj, duke shtuar se sipas informacionit që ai pretendon se ka, synimi ka qenë sekuestrimi i tij ilegal, kalimi drejt Italisë dhe përfundimi në burgjet shqiptare “për të mos dalë më i gjallë”.
Sipas tij, ky presion lidhet drejtpërdrejt me vendimin për të folur publikisht për afera që, sipas pretendimeve të tij, implikojnë majën e pushtetit. Denoncimi fillestar u pasua nga hapja e disa dosjeve, të cilat Ahmetaj i lidh të gjitha me një figurë qendrore, kryeministrin Edi Rama, të cilin ai e cilëson vazhdimisht si “kreu i organizatës”.
Skandali i Portit të Ri të Durrësit
Ahmetaj e cilësoi portin e ri të Durrësit si një nga asetet më strategjike të shtetit shqiptar dhe një nyje të sigurisë kombëtare. Denoncimi i tij u përqendrua në dy elementë kryesorë: kush e ka fituar projektin dhe çfarë lloj kontrate është lidhur.
Sipas Ahmetajt, kompania e përzgjedhur, Archidon, përmes një zinxhiri pronësie dhe lidhjesh, çon drejt interesave ruse, konkretisht drejt kompanisë LUK Oil, e sanksionuar nga SHBA.
“Ty të del drejtpërdrejt influencë ruse në një infrastrukturë kritike”, deklaroi Ahmetaj, duke e cilësuar situatën si alarm kombëtar, veçanërisht për një vend anëtar të NATO-s.
“Del një kompani interesante këtu që është Cayman co.s.l. Po të futeni del një veprimtari që të lidh me LUK Oil që është e sanksionuar”, shtoi ai, duke theksuar se kishte investiguar personalisht origjinën e kompanive.
Ahmetaj deklaroi gjithashtu se kontrata është pa tavan shpenzimesh, çka sipas tij do të thotë se çdo rritje kostoje rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë. Paralelisht, ai foli për një terminal doganor të dhënë me koncesion afatgjatë për një kompani private, duke e cilësuar këtë si privatizim të fshehtë të pronës publike.
Projekti Smart City

Sipas Ahmetajt, projekti “Smart City” nuk ka të bëjë me një qytet të mençur, por me një sistem masiv monitorimi dhe sigurie që prek drejtpërdrejt privatësinë dhe të dhënat personale të qytetarëve.
“Si mund t’i ketë një vend jashtë NATO-s të dhënat e shqiptarëve?”, pyeti Ahmetaj, duke ngritur shqetësime për administrimin e të dhënave biometrike, targave dhe lëvizjeve të qytetarëve.
Në aspektin financiar, ai foli për fryrje ekstreme të kostove, duke dhënë shembuj konkretë: “Shqiptarët do të paguajnë 15 mijë e 723 dollarë vetëm për një kamerë trupi. Është çmenduri! Çmenduri!”
“Në 10 vitet e fundit janë importuar 1 milion pajisje sigurie për rreth 50 milionë euro. Ndërkohë këtu po blihen rreth 800 pajisje për 140 milionë dollarë”, deklaroi Ahmetaj.
Ai shtoi se ministrja e Brendshme ka refuzuar ta firmosë kontratën, ndërsa për këtë arsye është emëruar një zv.ministër i ri, i cili sipas tij rrezikon burgun nëse ka hedhur firmën.
Tuneli i Llogarasë dhe Hill International

Në dosjen që lidhet me tunelin e Llogarasë, Ahmetaj pretendon se Hill International ka paguar udhëtime dhe hotele për kryeministrin Edi Rama, Belinda Ballukun dhe Delina Ibrahimajn, ndërkohë që ka përfituar kontrata publike.
“Ka paguar për kryeministrin, ka paguar për Delinën dhe për Belindën. I ke këtu”, deklaroi Ahmetaj, duke nxjerrë fatura hotelesh.
Ai theksoi se për raste të ngjashme SPAK ka hetuar figura të tjera, ndërsa për disa zyrtarë të lartë po zbatohet standard i dyfishtë. “Nëse mua më çojnë për hetim se kam fjetur në hotel me gruan, atëherë me të njëjtin standard duhet të çohen edhe ata”, tha ai.
Dosja KAYO dhe pronat ushtarake

Ahmetaj deklaroi se kompania shtetërore KAYO është përdorur si mekanizëm për tjetërsimin e pronave të ushtrisë, përmes ligjeve dhe VKM-ve që dobësojnë kontrollin shtetëror.
“Pasuria publike kthehet në kapital privat pa asnjë procedurë privatizimi”, u shpreh ai.
Sipas Ahmetajt, përfshirja e biznesmenit Ron Yeffet, të cilin ai e cilëson si mik personal të kryeministrit, e bën skemën edhe më problematike.
AKSH, Durana dhe tenderat sekret

Në këtë dosje, Ahmetaj foli për tendera sekret të AKSH dhe për përfitimin e fondeve publike nga kompani të lidhura me pushtetin. Ai përmendi konkretisht emra dhe publikoi lista kompanish.
“Me standardin e SPAK-ut, të Altin Dumanit, këta duhet të arrestohen të gjithë”, deklaroi Ahmetaj.
Ai shtoi se kompanitë janë regjistruar formalisht në Duranë, ndërsa aktivitetin real e zhvillojnë në Tiranë, duke shmangur pagesën e detyrimeve tatimore.
Thumanë–Kashar

Për rrugën Thumanë–Kashar, Ahmetaj deklaroi se kontrata është ndryshuar në mënyrë të paligjshme, duke rritur kostot dhe duke favorizuar koncesionarin.
“Është një koncesion i dhënë kujt i do qejfi, me mënyrën se si i do qejfi”, u shpreh ai.
Sipas Ahmetajt, janë ndryshuar afatet, modeli ekonomik dhe garancitë buxhetore, ndërsa investimi real është ulur.
Teza përfundimtare
Në përfundim, Ahmetaj i lidhi të gjitha denoncimet në një tezë të vetme, duke theksuar se ajo që është bërë publike deri më tani është vetëm një pjesë e vogël e asaj që fshihet pas.
“Është maja e ajsbergut”, përsëriti ai disa herë, duke shtuar se Shqipëria, sipas tij, është e kapur nga një strukturë kriminale që përdor projektet publike për grabitjen e pasurive të shqiptarëve.









