Mbrëmë në Rosenheim të Gjermanisë është folur shqip. Nga ora 18.00 deri pas mesnate. Është festuar shqip nga shumë shqiptarë, veçanërisht të Kosovës për ditën e Flamurit.
28 Nëntori, festa jonë kombëtare mblodhi shumë emigrantë në një nga sallat e mëdha të qytetit. Falë organizimit të Shoqatës “Shqiponja”, grupit artistik të valleve e këngëve, të recituesve të vegjël, pjesëmarrjes të Ministres së Arsimit e Kulturës të Kosovës, Konsulles së Përgjithshme të Shqipërisë në Gjermani, bisnesmeneve shqiptare që ushtrojnë aktivitetin në zonës Munchen, qytetarëve e familjeve shqiptare, festa e Flamurit mori përmasa të pa imagjinueshme. Gallëri e hare.
Hapja e këtij evenimenti me Himnin e Flamurit Kombëtar, përshëndetjet e zjarrta të drejtuesve të Shoqatës Shqiponja, të Ministres së Arsimit e Kultures të Kosovës, të Konsulles së Përgjithshme të Shqipërisë dhe shumë të tjerëve e më pas interpretimet e shkëlqyera të grupit të fëmijëve si në rrecitime, në këngë e valle, të grupit të valltarëve dhe kengëtarit brilant kosovar që ndezi sallën, atmosfera festive e ditës së madhe të Flamurit arriti majat. Këngët patriotike njëra pas tjetrës këndoheshin në kor, nga të gjithë. Pjesëmarrja e qindra e qindrave familjeve ku të binin në sy veshjet me kostume kombëtare sidomos të fëmijëve e zbukuroi festen në Rosenheim.
Kësaj feste kombëtare ja shtuan bukurinë interpretimi i fëmijëve të shkollës shqipe të qytetit në Rosenheim.
Si rrallë në vende të tjera ku shqiptarët kanë emigruar për shumë arësye, e shpesh padrejtësisht nga politikat e gabuara e shpesh antikombëtare, në Rosenheim vetë komuniteti këtu ka financuar për shkollën shqipe, ku mësojnë krahas gjuhës gjermane me shumë krenari gjuhën e nënës, gjuhën e bukur shqipe.
Sa krenari!
Valvitej krenar Flamuri ynë! Më i bukuri në botë!
Përkujtimi i kësaj dite të Flamurit, është përkujtimi më domethënës i pavarësisë së kombit shqiptar.
28 Nëntori është dita që na çon në kujtime historike të fatit të Kombit tonë. Është dita me të cilën lidhen pazgjidhshmërisht fatet e çdo shqiptari dhe shqiptarisë.
Ndaj festohet me shumë dashuri e gjallëri nga të gjithë, për ta mbajtur fort brënda vetës Flamurin e për të ruajtur identitetit tonë kombëtar.
Gëzuar Shqipëri ditën e madhe të Flamurit!
Gëzuar shqiptarë anembanë botës këtë feste unike kombëtare!