Diktaturat e ndriçuara!

0
Shkruan Zef Ndreka
Asnjë dallim, asnjë ndryshim nuk ka ndërmjet diktaturave që kanë qenë dhe janë të instaluara në Shqipëri.
Të gjitha kanë qenë dhe janë të ndriçuara në llojet e tyre. Duke filluar nga regjimi i Mretit Zog, më pas i Enver Hoxhës dhe bishtukëve të tij.
Diktatura e gjatë 50 vjeçare e instaluar në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, pretendoi të krijonte njeriun e ri me tipare komuniste.
Në fakt, ja arriti qëllimit.
Zgjatimet e diktaturës komuniste ishin aq të forta, sa edhe lëvizjet për liri e demokraci u kontrolluan prej tyre.
32-vitet e post diktaturës komuniste e dëshmojnë këtë. Sali Berisha, një komunist i devotshëm, përmes ish Sigurimit famëkeq të Shtetit, u vu në krye të lëvizjeve demokratike duke e kompromentuar atë dhe duke vazhduar rrugën e diktatorit, por në kushte të tjera dhe metoda të kamufluara.
Me drejtimin autoritarist dhe shpesh here antikombëtar, Berisha e dërrmoi demokracinë e brishtë shqiptare që mbeti veç një ëndërr për ta bërë Shqipërinë si Europa.
Pasi e mjelën mirë e mirë këtë vend dhe pasuritë e tij, ia kaloi pushtetin zgjatuesit tjetër të komunizmit Edi Rama i cili e ngriti në një nivel më të lartë shkallën e korrupsionit dhe diktatit.
Shkatërrimi i PD-së, copëtimi i saj, trafikimi i demokratëve drejt Partisë së Lirisë të spiunit Metaj , vetëm i zgjatën jetesën regjimit te ri të Romës.
Bëjnë sikur luftojnë e shajnë njëri-tjetrin, në fakt janë bashkë, të strukturuar brënda një trekëndëshi, ku mundohen të bllokojnë çdo lloj alternative.
Zgjedhjet e 14-Majit për fat të shqiptarëve dhe të demokracisë, shpëtuan PD-në. Shpëtuan ekzistencën e saj me 104 mijë vota qëndrestarësh që nuk u blenë dhe as u shitën. Megjithse pjesa më elitare e PD-së jo vetëm nuk mbështeti atë, përkundrazi e luftuan duke mbështetur kandidatët e Foltorës dhe të koalicionit të turpit.
PD-ja arriti të mbijetojë.
Tashmë, ajo gjendet akoma në agoni pas tërheqjes se Alibeajt.
PD-ja, po tregon pafuqi për të mbledhur Kryesinë e saj për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve dhe për të gjetur rrugët optimale për organizimin e saj, për të zgjedhur Kryetarin dhe strukturat drejtuese.
Me kakofoninë e krijuar, zgjidhja optimale mbetet thirrja e Kolegjit të kryetareve.
Vetem ky organ ka të drejtën të vendosë çfarë dhe si do veprohet me partinë, në kushtet kur mungojnë dy nënkryetarët dhe kryetari, dhe kur Sekretari i Pergjithshëm me një pjesë të deputetëve tentojnë të shkrihen tek Foltorja duke bërë llogaritë vetëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 që janë në prag. Duket që shpresat i kanë varur tek Berisha i cili nga dokumentet e deklasifikuara te CIA-s amerikane, ju çjerrë edhe maska e patriotizmit, i cili ishte kundër pavarësisë së Kosovës.
Autoritarizmi në vite i Berishës duket se ndjeshëm ka ndikuar tek ledhakët e tij, të cilët sot duke e parë të rrënuar, do bëjnë sikur ndërrojnë kurs.
Enverizmi dhe vullnetarët e tij, u zëvendësuan me berishizmin, ku ka rënë edhe vetë Berisha!
Në këtë kurth duket se bie edhe Rama, i cili për hir të së vërtetës nuk ka cilësitë e tij përveç etjes për pasuri dhe sundim më të butë.
Këto janë diktaturat që janë shumë të ndriçuara, por që militantët dhe shqiptarët nuk i shikojnë edhe pse janë të tilla.
Ndryshimet e pritshme në demokracinë shqiptare, rrotacioni aq i pritur për vendin dhe orientimin e qartë euroatlantik shpresojmë të mos shoqërohen me dritëhijet diktatoriale apo privatizimet e mëtejshme të partive politike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu