Dielli politik i dyshes Berisha-Rama po perëndon!

0

Shkruan Azgan Haklaj

Kongresi i djeshëm i PS do ishte përcjellë siç përcillen rëndom të tilla sajesa e bufonëri politike me regji të Edi Ramës, nëse nuk do të kishte detaje jo të vogla që flasin më shumë se fjalimet e tyre.

Megjithë trukimet komplimetuese u pa qartë nga mimika e qëndrimi i znj Nikolla, se largimi i saj kishte qënë i dhunshëm e nën presion.

Taulant Balla, polemisti më i madh e sistematik kundër Sali Berishës, madje edhe kallzuesi i tij zyrtar në SPAK për aferën e kompleksit “Partizani”, u shkarkua si “Zhukovi” kur po “fluturonte” nga euforia.

Hamendësimi dhe përfolja se ky mund të jetë kurbani i Berishës në këmbim të pazarit politik e njerëzor me Edi Ramën, natyrisht që ka nuanca të këtij realiteti të nëndheshëm.

Zëvendësimi i rrufeshëm i drejtuesve të ministrive,  institucioneve kryesore të pushtetit me njerëz fare të panjohur politikisht, ndoshta është tjetër sinjal i qasjes drejt një qeverie teknike siç e kërkon Sali nongrata nga Ballkoni antiamerikan, e babloku duhet t’ja plotësojë sepse siç ju deshën ushtarët e tij parlamentarë, gazmendët e bylykët këto kohë, do i duhen në sesionin e ri kur mendon ti shpallë luftë organeve të drejtësisë së re dhe të instalojë përfundimisht autokracinë dhe të përcjellë me funeral pluralizmin e demokracinë, nëse e lejon opozitarizmi euroatlantik, sovrani dhe aleatët strategjikë.

Ndërkohë kur ç’do takim e tubim politik i Edi Ramës përherë në 11-të vite mbushej me retorika deri shpotitëse e plot batuta kundër Sali Berishës, këtë herë çuditërisht ato mungonin.

Ai u përmend vetëm një herë nga Rama, madje dhe atëherë pa emër, por tha se rregullat e lojës i pranuan çfarë dëshmon publikisht ujdinë vrastare, të demokracisë, pluralizmit politik e shtetit të së drejtës.

Vallë pse u harrua refreni 3 vjeçar i poezive të Edi Ramës me “non grata”?!

Fatmir Xhafaj përkundër propagandës për rienergjizim e aktivizim rinor, nën shkëlqimin e thinjave ishte thirrur të “ribënte”një tjetër “Reformë të thellë” në drejtësi!

Pra petët e lakrorit u hoqën e për askënd nuk ka dilema se e gjithë kjo ujdi e këto levizje të kamufluara nuk janë gjë tjetër, veçse rienergjizim i pazarit Rama-Berisha për vjeshtën parlamentare e cila do shënojë mësymjen kundër prokurorisë dhe gjykatave të posaçme.

Në fjalimin e stërgjatur mungoi në recitimin e Edi Ramës fjala SHBA, një shenjë kjo reale se në mos është ndëshkuar me kartonin e kuq prej tyre, kjo ka gjasa të ndodhë dhe të jetë e shpejtë.

Turpi më i madh që jo vetëm cënon rëndë por linçon totatisht institucionin e kreut te shtetit ishte fakti qesharak që kapteri Bajram Begaj, ndonëse ditë e dielë, priste si roje garde pas perdeve të zyrës së tij se kur do ti trokiste në derë tutori Edi Rama.

Detaje ka shumë dhe do duhej kohë ti identifikonim siç ka qindra e mijëra afera të tmerrshme korrupsioni ekonomik dhe politik, por po e mbyll me dy prej tyre që edhe syrit jo shumë vezhgues e indiferent, zor se i kanë shpëtuar.

Ndërkohë që jo vetëm përflitej por pritej domosdoshmërisht largimi nga qeveria i Belinda Ballukut e quajtur si “bullica” e hajnisë e korrupsionit, dhe e 3D-së së saj të famshme, jo vetëm nuk ndodhi por klani i saj u gradua dhe u fuqizua duke sjellë dy ministra nga drejtorët e saj të preferuar.

Kësaj radhe vula e grabitur dhe dhuruar po prej Ballukut tek Sali Berisha u bë për të varkë shpëtimi, por ky akt i neveritshëm nuk do mund ta shpëtojë kurrë këtë hajdute nga hetimi që ka filluar dhe penalizimi i sigurtë nga SPAK-u.

Në të kundërt Erion Velisë së 5D -së jo vetëm nuk ju dha silidaritet, por Rama i kujtoi punën që e pret atë së bashku me Pandin e Fondacionit Besa tek varrezat e Tufinës dhe të Sharrës, ku janë varrosur miliona euro të inceneratorëve.

Pra në tërësinë e vetë ky show i shpifur propagandistik e jashtë realitetit është fotografia e përçundnuar e një realiteti alarmues të një vendi që po lëngon nga ikjet e varfëria, të Atdheut tonë që po vidhet e stërvidhet nga qeveria.

Por kjo gjëndje nuk do mund të vijojë gjatë.

Mesazhet e shpërfillura prej tyre të ardhura nga institucionet relavante e demokratike të perëndimit e kryesisht ato nga SHBA-të nuk do ngelen thjesht konstatime.

Është prova e madhe e besimit që populli dhe Kombi Shqiptar ka tek SHBA-të dhe aleatët e tjerë perëndimorë.

Nuk besoj dhe as e mendoj se do ndeshemi në zhgënjim, sikundër kurrë nuk do të ketë tërheqje e dorëzim.

Fatet e një populli nuk mund ti luaj si zhitona në kazino një establishment i degraduar e korruptiv.

Dje Edi Rama përkundër euforisë që mundohej me hipokrizi të manifestonte, ishte i verdhë e pa gjak.

Po ashtu i mekur e pa entuziasëm ishte dhe zëri i “non gratës” nga bunkeri, pak orë më pas.

Është koha e reagimit masiv, politik e njerëzor.

Pas 34 vitesh post-komunizëm nuk mund të ketë më manipulatorë e pazarexhinj’ që t’ju mohojnë shqiptarëve votën e lirë.

Deklaratat e shqiptuara qartë nga kryediplomati amerikan në Tiranë dhe në mënyrë sistematike nga zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit, se nuk do të tolerojnë askënd dhe në asnjë formë të shantazhojë organet e reja të drejtësisë si investim ekskluziv i tyre, nuk duan koment.

Komenti dhe konkluzioni i vetëm është se foleja politike e dyshes, Rama-Berisha, nuk do ta ketë kurrë kohën e ardhme.

Dielli i tyre po perëndon!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu