Shkruan Sokol Pepushaj
Një vëlla kryeministri, i çmendur pas drogave dhe pastrimit të parave, vërtitet prej vitesh nëpër dosjet e DEA-s Amerikane, shërbimeve të huaja e shkresave të SPAK-ut. Policia nuk hyn fare në këtë polemikë. Gjithmonë ka qënë e pozicionuar në krah të esencës mafioze, kapove që nuk kapen kurrë.
Thelbi i qëllimit të luftës me trafikantët ndërkombëtar të kokainës, thërmohet grimca-grimca nga drejtësia jonë që edhe pse i vijnë të gatshme dosjet, ende nuk ka arrestuar asnjë bos droge.
Drejtësia qëndron gatitu përballë mafiozëve.
Fletë-arrestet e autoriteteve të Finlandës, këtë herë u ekzekutuan brënda 24 orëve, pasi prokurorët finlandezë erdhën vetë këtu. Nuk shpëtoi asnjë prej 9 narkotrafikantëve të drogës sintetike.
Megjithatë, letërsia artistike e artistëve të justifikimeve të SPAK-ut për dështimet në të tëra rastet e mëparshme, u lag në ujin e një konference shtypi, pas shtrydhjes dhe kullimit në sitën ku ndahet djathi nga hirra.
Rrjeti shqiptar i drogës, me aktivitet në Amerikën Latine, Spanjë, Holandë, Britaninë e Madhe, Itali, Gjermani etj., në të gjitha operacionet e huaja, ka nxjerrë vetëm hirrë.
Shosha e SPAK-ut, në operacionin e parafundit nga antimafias italiane, nga 52 fletë-arreste, shumica të ekzekutuara jashtë Shqipërisë, arriti të mos kalojë 12 trafikantët e mëdhenj.
Vonesa me 3 muaj e arrestimeve, u dha mundësinë Visit, dhe të tjerëve, të kryejnë ca punë të mëdha në fshatin e vogël, ku edhe votat mblidhen si paratë, me lopatë.
Kokat e trafikut janë bulmeti dhe bereqeti i Bablokut.
9 vrimat, ku prokurorët finlandezë qepën kopsat për të lidhur litarët e bashkëpunimit me drejtësinë shqiptare, janë thjeshtë 9 dialektet e 9 shtresave shkëmbore, në terrenin e kontrolluar e komanduar nga Mafies Qeveritare.
Brezninë e parë, kapot e çdo organizate, i kemi jo vetëm të paprekshëm, por edhe të “ndershëm”, të “zgjuar” e të “dobishëm”.
Visi i Pojës dhe Vëlla Olsi, e njohin edhe gramatikën e 9 dialekteve që kishin studjuar mirë prokurorët finlandez, por këtë herë nuk shpëtuan për shkak të lidhjeve me prokurorinë, por për faktin se nuk e kishin emrin në apel.
Këta trafikantë, krahasuar me ushtrinë e kartelit të Sinaloas, janë shumë të pa rëndësishëm
Që Mafia të marrë goditje të fortë, DEA Amerikane duhet të mësojë dialektet e Visit të Pojës dhe vëlla Olsit.
Aty fillon suksesi, ndryshe drejtuesit e karteleve të drogës së fshatit tonë, çdo hetimi të huaj, i lë në duar dosjet, për t’i përdorur si letra higjenike./Pamfleti