Ka nisur me tensione seanca plenare, pasi deputetët e opozitës kanë shkaktuar kaos në sallën e Kuvendit.
Demokratët shihen të jenë ulur në karriget e ministrave të qeverisë ndërsa Garda është përplasur fizikisht pasi ka ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të rikthyer normalitetin.
Disa prej deputetëve të ulur në karriget e ministrave janë Flamur Noka, Klevis Balliu, Albana Vokshi dhe Enno Bozdo.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar me tone të larta, duke akuzuar mazhorancën dhe ka bërë thirrje të drejtpërdrejta: “Çojini në burg”.
Pas përplasjes, Gazment Bardhi u tha gardistëve të mos i prekin deputetët me dorë, duke akuzuar se Suel Çela nuk jep urdhra në Kuvend.
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se, “ata që prekin deputetët do të përballen me pasoja shumë të rënda”.
“Prekja e deputetëve është një akt i turpshëm dhe i papranueshëm”, deklaroi Berisha, duke akuzuar mazhorancën për përdorimin e forcës.
Veprimi i deputetëve të opozitës u konsiderua si një akt proteste ndaj qeverisë, ndërsa përfaqësues të mazhorancës e cilësuan situatën si pengim të punimeve normale të Kuvendit.

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar. Ashtu siç pritej, kjo mbledhje u shoqërua me përplasje politike dhe diskutime të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Në fokus të seancës do të jenë disa çështje të ndjeshme institucionale dhe politike, të cilat kanë ndezur debatin publik gjatë javëve të fundit.
Një nga pikat më të diskutuara lidhet me institucionin e Avokatit të Popullit. Endrit Shabani, i cili u përzgjodh për këtë detyrë me firmat e Partisë Demokratike, por u miratua në seancë vetëm me votat e Partisë Socialiste, pritet të bëjë betimin zyrtar në Kuvend. Opozita e ka kundërshtuar këtë proces, duke e konsideruar të kontestueshëm dhe ka depozituar një padi në Gjykatën Kushtetuese, çka pritet të reflektohet edhe në debatet parlamentare të sotme.
Një tjetër çështje që pritet të shkaktojë tension është ajo e zv kryeministres Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj. Ndërkohë, Këshilli i Mandateve, i cili ka rol këshillimor në këtë proces, është parashikuar të mblidhet të premten për të shqyrtuar kërkesën.
Megjithatë, situata është komplikuar nga fakti se anëtarët e Këshillit të Mandateve ende nuk kanë marrë në dispozicion materialet provuese të SPAK, të cilat ndodhen në një USB. Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ende nuk ua ka vënë në dispozicion këtë material, duke argumentuar se dokumentacioni përmban të dhëna që janë sekret hetimor. Kjo ka nxitur akuza për mungesë transparence dhe pengim të procesit parlamentar.
Në rendin e ditës së seancës së sotme janë përfshirë edhe pika të tjera, mes tyre një mocion me debat lidhur me masat e ndërmarra nga qeveria për forcimin e politikës së “tolerancës zero” ndaj krimit të organizuar. Ky diskutim pritet të shfrytëzohet nga opozita për të kritikuar rezultatet e qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa mazhoranca pritet të mbrojë qasjen dhe veprimet e saj.








