Lehtësohet pozita përballë drejtësisë për anëtarët e fisit Rraja në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj Bilbil e Jashar Majas, ngjarje e ndodhur në fillim të Korrikut.
Prokuroria e Tiranës ka vendosur që nga akuza “plagosje të rënë me dashje, në bashkëpunim”, hetimi duhet të vijojë për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”. Ndryshimi i kualifikimit ka ardhur pas administrimit të akt-ekspertimeve mjeko ligjore ndaj të dëmtuarve. Përveç lehtësimit të pozitës penale, akuza e re kërkon ankim nga të dëmtuarit me qëllim që të vijojë hetimi. Sipas parashikimeve ligjore, në mungesë të ankimit, çështja penale ndaj Rraja mund të mbyllet.
Anëtarë të fisit Rraja goditë me sende të forta dhe kërcënuan me armë Bilbil dhe Jashar Majën, pasi këta të fundit kishin denoncuar në polici se aktiviteti shpërthyer i gurores në pronësi të një prej anëtarëve të fisit Rraja u kishte shkaktuar dëme në banesa.
Një video e publikuar në rrjete sociale dhe media, që dukej se ishte filmuar nga një prej pjesëtarëve të grupit dhunues, tregoi se si vëllai, djali dhe të afërm të tjerë të deputetit të PS-së Rrahman Rraja dhunuan brutalisht me shkop bejsbolli dhe kërcënuan me pistoletë dy kushërinjtë.