Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas debateve dhe dhunës së ndodhur një natë më parë në mbledhjen e kryesisë.
Basha përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ai ishte një debat konstruktiv, ku thekson se është një shenjë e qartë e një reflektimi të thellë që ka nisur brenda familjes tonë politike.
Ndër të tjera ai thekson se debatet dhe mendimi ndryshe duhen respektuar nga të gjithë.
Gjithashtu ish kreu i PD-së shkruan se refuzon dhe dënon me forcë çdo përpjekje për tensionim që ushqen kulturën e vjetër politike të baltës dhe shantazhit me të cilën jemi ndarë njëherë e mirë dhe që duhet lënë pas.
“Fryma e debatit konstruktiv me të cilën Kryesia e PD debatoi për më shumë se 8 orë për gjetjen e rrugës më të mirë në funksion të riorganizimit të PD, është shenjë e qartë e një reflektimi të thellë që ka nisur brenda familjes tonë politike.
Nuk ka gjë më demokratike se mendimet e ndryshme në një forum politik. Debatet dhe mendimi ndryshe duhen respektuar nga të gjithë. Vlerat demokratike që na drejtojnë në këtë rrugëtim të vështirë për ne demokratët nuk mund të cenohen nga asnjë individ.
Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo përpjekje për tensionim që ushqen kulturën e vjetër politike të baltës dhe shantazhit me të cilën jemi ndarë njëherë e mirë dhe që duhet lënë pas”, deklaron Basha.