Shkruan Zef Ndreka
Humbje pas humbjesh në çdo zgjedhje. Tkurrje ekstreme e PD-së. Zhgënjime e mashtrime demokratësh pa fund.
E megjithë këto, Berisha del publikisht dhe deklaron se “PD-ja e mbrojti votën, edhe pse humbi zgjedhjet” dhe më tej, “Ramën nuk e mundim as me foltore, as me vota”.
Kështu pra, në PD tashmë është krijuar një kontradiktë e madhe politike, që natyrshëm na çon te pyetja:
Çfarë presin demokratët?
Në fakt, mesazhet e Berishës janë mesazhe të dyzuara që paralizojnë opozitën.
Kur Berisha, si kreu i PD-së del e thotë sot se
vota u mbrojt, por zgjedhjet nuk fitohen me votë, atëherë ai i ka thënë elektoratit të vet se
nuk ka rrugë demokratike për të ardhur në pushtet.
Ky është një mesazh që demotivon votuesit, ul moralin e strukturave dhe prodhon një gjendje pritjeje pa asnjë strategji.
Pikërisht për këto, demokratët janë futur në një cikël pritjeje pa fund, me një parti po vazhdon të mbahet peng me idenë se diçka tjetër do ta rrëzojë Ramën.
Dhe strategjia e pritshmërive vazhdon me shpresën se dikush nga jashtë, SPAK-u, skandalet, ndonjë krizë e madhe apo një ndërhyrje ndërkombëtare do i shpëtojë.
Kjo pritje pasive është bërë tashmë strategji zyrtare e PD-së, pa asnjë aksion politik.
Në fakt, pritja reale e PD-së është rikthimi personal i Berishës, sërish Kryetar nga pranvera e vitit që vjen.
Një pjesë e demokratëve, sidomos ata që e duan Berishën po presin vetëm që ai të jetë sërish i lirë, aktiv dhe legjitim për tu rikthyer në qendër të lojës.
Kjo pritje pa fund prodhon konfuzion brenda partisë, sepse PD-ja nuk bën zgjedhje të brendshme, vetëm pret Berishën!
PD-ja nuk harton strategji zgjedhore, se pret Berishën!
PD-ja nuk krijon struktura të reja, se pret Berishën!
PD-ja nuk hapet te brezi i ri, se pret Berishën!
Pra mund ta themi se në PD, gjithçka është pezulluar deri “sa të zgjidhet rasti i Berishës”!
Kështu, demokratët presin një mrekulli politike që nuk vjen. Sepse vetë legjenda e tyre Berisha e deklaroi se “as me foltore, as me vota” Rama nuk rrëzohet.
Atëherë alternativa e vetme mbetet ose presioni ndërkombëtar, ose rënia e qeverisë nga një skandal madhor, ose ndonjë krizë institucionale.
Kështu pra demokratët po presin nga një mrekulli që vjen nga jashtë, jo nga një strategji e brendshme politike. Ndërkohë që asnjë parti moderne nuk funksionon pa organizim, pa lider të zgjedhur, pa strategji, pa ofertë të re.
Pa këto, mrekullia nuk ka si vjen.
Ndërkohë duket qartë se PD-ja me këtë lidër ka përcaktuar rrugën drejt opozitës së përhershme, derisa vetë demokratët të kërkojnë vetë një rrugë të re dhe një lidership të ri.








