Cikli i pazareve politike në Kosovë dhe vonesat proçeduriale

0

Shkruan Zef Ndreka

Po kujtoj tekstin që kam ndarë vetëm me katër rrjeshta sipas shënimeve të 10-shkurtit 2025, sapo dilnin rezultatet paraprake që i jepnin Vetëvendosjes rreth 40 %, PDK 21 %, LDK 18 % dhe AAK-NSIMA 7,5 %.
Meqë asnjë parti nuk kishte shumicën, ishte e pritshme që formimi i qeverisë të zgjaste.
Në fakt, bllokime të tilla kanë ndodhur disa herë në Kosovë. Negociatat për koalicione shpesh kanë zgjatur muaj të tërë, veçanërisht kur raportet mes partive janë të tensionuara siç shihen edhe tani, ose kur ndodhin sfida si kontestime rezultatesh, ankimime në Gjykatën Kushtetuese, apo mosmarrëveshje për ndarjen e posteve.
Pas më shumë se tetë muajsh pa qeveri të votuar, duket se edhe ky cikël ka hyrë në të njëjtën logjikë të pazareve politike e vonesave procedurale.
Në gjithë këtë kohë që humbet e nuk po ndalet, një sërë faktorësh si zakonisht e kabë zgjatur formimin e qeverisë në Kosovë, nder të cilët:
* Mungesa e shumicës absolute.
Sipas rezultateve (VV 40 %, PDK 21 %, LDK 18 %, AAK-NSIMA 7,5 %), asnjë parti nuk arrin 50 %+1 vende në Kuvend.
Vetëvendosjes i duhen aleatë për të kaluar pragun e 61 deputetëve, por raportet e saj me partitë e tjera janë gjithnjë të tensionuara.
* Negociatat e vështira për koalicion.
Çdo parti kërkon poste kyçe në Kosovë. Kërkojnë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, ministritë me më shumë fonde si Financa, Punët e Brendshme, Infrastrukturë.
PDK dhe LDK zakonisht duan garanci për programin ekonomik e për dialogun me Serbinë, që shpesh nuk përputhen me prioritetet e VV-së.
* Procedurat ligjore e kushtetuese.
Rezultatet zyrtare shpallen vetëm pasi KQZ dhe Gjykata Supreme shqyrtojnë të gjitha ankesat.
Presidentja dekreton mandatarin për kryeministër vetëm pasi është e qartë se kush mund të krijojë shumicën dhe ky hap shpesh vonohet kur ka paqartësi.
* Pazaret për poste institucionale.
Përveç ministrive, ka shumë bisedime të fshehta për borde publike, agjenci shtetërore, ambasada etj. Këto lloj “paketash” e zgjatin procesin.
* Presioni i jashtëm dhe dialogu me Serbinë.
Partnerët ndërkombëtarë BE, SHBA, kërkojnë vazhdim të dialogut. Partitë kanë përdorur këtë si kartë negociuese, duke e shtyrë marrëveshjen.
Duke bërë krahasime historike me vitët e kaluara që kur Kosova u krijua shtet dhe zgjedhjet bëhën të lira e demokratike, vërejmë se në vitin 2014, pas zgjedhjeve, qeveria u formua vetëm pas rreth 6 muajsh bllokadë.
Në vitët 2019–2020, pas zgjedhjeve të tetorit 2019, marrëveshja VV-LDK u arrit në shkurt 2020, gati 4 muaj pritje.
Pra bllokada 8-mujore e tanishme është ndër më të gjatat.
Në thelb, përveç numrave të papërshtatshëm, këtu luajnë rol edhe rivalitetet e vjetra dhe dëshira e secilës parti për të mos u dukur “aleati i vogël”. Derisa njëra palë të pranojë kompromis real, ose të shkohet në zgjedhje të reja, Kuvendi mbetet pa qeveri të votuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu