Cikli i bllokimeve institucionale nuk duhet të vazhdojë në Kosovë

0

Shkruan Zef Ndreka

Deklarata e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja është një moment i rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën.
Presidentja Osmani, në deklaratën e saj, ka ngritur disa çështje shumë të rëndësushme që lidhen me funksionimin e demokracisë parlamentare, me respektimin e Kushtetutës, si dhe përgjegjësitë politike të forcave parlamentare.
Kosova përsëri në zgjedhje të imponuara parlamentare. Këtë e dekretoi Presidentja si detyrim kushtetues.
Deklarata e Presidentes Osmani, i është referuar nenit 82 të Kushtetutës së Kosovës, nen i cili përcakton qartë se në rast se institucionet nuk arrijnë të përmbushin detyrimet kushtetuese, në këtë rast zgjedhjen e presidentit brenda afatit të përcaktuar, atëherë hapet rruga për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.
Në këtë rast, Presidentja Osmani nuk po shfaqet si aktore politike që merr një vendim të motivuar nga kalkulime partiake, por si garantuese e rendit kushtetues. Kjo është shumë e rëndësishme.
Mesazhi kryesor i saj në atë deklaratë, është se Kushtetuta nuk është dokument që interpretohet sipas interesave të momentit, por një detyrim që duhet zbatuar.
Lind pyetja:
A dështoi klasa politike për konsensus në Kosovë?
Sigurisht, kriza që çon automatikisht në zgjedhje të parakohshme, është në fakt një pasojë e mungesës së dialogut dhe kompromisit mes partive parlamentare. Në sistemet demokratike parlamentare, zgjedhja e presidentit kërkon shpesh herë konsensus minimal mes shumicës dhe opozitës.
Por në Kosovë, konsensusi mungoi për shkak të VV-së dhe Albin Kurtit dhe sistemi u bllokua. Pikërisht, kjo ka ndodhur në këtë rast, ku forcat politike nuk arritën të gjejnë një kandidat të pranueshëm ose një marrëveshje politike që do të shmangte krizën institucionale.
Pyetja tjetër:
Cili ishte mesazhi politik i Presidentes Osmani?
Presidentja e tha qartë se qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje dhe me këtë, ajo u përpoq të ndajë përgjegjësinë politike nga vendimi institucional.
Mesazhi i saj është i qartë, ku zgjedhjet nuk janë zgjedhje e institucioneve, por pasojë e papërgjegjshmërisë së klasës politike që nuk arriti të përmbushë detyrimet e saj.
Kjo në vetëvete është edhe një formë presioni moral ndaj partive politike, duke ua deleguar atyre koston politike të krizës.
Cilat janë pasojat për stabilitetin politik?
Zgjedhjet e reja që do mbahen pas dekretimit të datës nga Presidentja Osmani, mund të kenë pasoja të ndryshme,
ose do të prodhojnë një shumicë më të qartë që zhbllokon institucionet, ose do të thellojë më tej fragmentimin politik dhe krizën parlamentare.
Por në Kosovë, proceset shtetformuese dhe integruese janë ende të ndjeshme dhe stabiliteti institucional do të ishte një faktor shumë i rëndësishëm.
Megjithatë, edhe pse zgjedhjet e shpeshta mund të lodhin elektoratin, ato mbeten një mekanizëm real demokratik për të zgjidhur krizat politike. Sepse sovrani është qytetari, është vota e tij si mënyra më legjitime për të rifreskuar përfaqësimin politik.
Deklarata e presidentes Osmani është në dukje një përpjekje për të thenë se kriza aktuale nuk është një konflikt politik, por problem respektimi të rregullave kushtetuese, ku institucionet duhet të jenë më të forta se interesat partiake. Por mqs kjo nuk ndodhi, atëherë qytetarët thirren me të drejtë përsëri në kutitë e votimit për të rikonfiguruar skenën politike.
Kjo është situata për një test pjekurie politike të Kosovës. Është situata që klasa politike duhet të reflektojë nga kjo krizë, që cikli i bllokimeve institucionale të mos vazhdojë…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu