Milan Rajdojiçiç rezulton të jetë pajisur nga Policia e Kralevës me leje për përdorimin e gjashtë armëve të llojeve të ndryshme.
Të gjitha këto leje del t’i jenë dhënë në vitin 2017, sipas dokumentit të prezantuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në një konferencë për media, Svelça tha se ky dokument është gjetur në një nga veturat e konfiskuara në aksionin e zhvilluar në Zveçan, kundër grupit terrorist.
“Kemi gjetur dokumente të kriminelit Milan Radojiçiç që dëshmojnë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në këtë aksion. Ai është nënkryetari i Listës Serbe e tashmë e dimë që Lista Serbe është ngushtë e bashkërenduar me Vuçiçin. Harta e këtij plani është më e qartë se kurrë. Nga kjo sasi e madhe e armatimit kuptohet se ka pasur plan të përfshirjes së qindra personave për destabilzimin e rajonit”, ka thënë ai, raporton betimiperdrejtesi.
Ndryshe, Radojiçiç që nga viti 2018 është nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit.
Ai është në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar.