Shkruar nga Sokol Pepushaj
Janë çelur “shkarkitë” dhe mbyllur “rubinetet” e vizave Amerikane. Do të shkurtohen krahët e krimit, këtë pranverë.
Rrugëve të fshatit, me “gërshërë” në dorë, ka dalë vetë ambasadorja. Pasi janë përcaktuar “shpendët” që kanë dëmtuar të “mbjellat”, sipas zakonit, do t’u priten krahët të mos fluturojnë në kopshtet e huaja.
Përmes zërit të kaposhit, amerikanët gjetën edhe shtëpinë e Edi Ramës.
Kaposhët e tij, vërtetë u këndojnë pulave të fshatit, por kanë zgjuar ambasadoren dhe gjithë miqtë tanë të perëndimit.
Këngët e “Gjelave” dhe zëri i kryeministrit, nuk kanë atë tingullin e dikurshëm, ngjajnë të çjerrë. Pulat, vërtetë nuk bëjnë ndonjë zhurmë me kakarisje, por nuk bëjnë “vezë” dhe shkojnë tufë pas kaposhëve, duke bërë pis ambientin.
Kaposhët e mafes, kanë “fluturuar” lirshëm hapësirave pa kufi. Me këngën e tyre kohë e pa kohë, kanë zgjuar fshatin, SPAK-un dhe amerikanët. Disa prokurorë që kanë provuar t’u shkurtojnë krahët, kanë ngelur me “gërshërë” në duar se deri tani “fluturonin” edhe përmbi Pacifik.
Pra, lajmi i keq për politikanët, zyrtarët dhe gjithë “fisin” e aferave e përfitimeve me suport kriminal, është prerja e krahëve Kaposhëve të fshatit.
Yuri Kim ka dalë ngado, me gërshërë në dorë.
Asi kaposhësh gangsterë, që nuk shkonin askund pa vjedhur diçka, kanë zbarkuar në Amerikë për 32 vjet pasuritë tona. Është momenti, të rikujtojmë, se deri ne vitin 2015, kishim 373 njësi vendore, me 308 komuna e 65 bashki, ku gjithë ajo “ushtri” hajdutësh, ngarkohej këtej nëpër fshatin tonë, e shkarkohej andej Atlantikut
Ne, kemi kohë që qëllojmë mbi “gozhdën” e këtij korrupsioni, edhe pse ndonjë herë i kemi rënë “gishtit” tonë. Sot, “plagët” mbi “gishtat” e medias që nuk shitet as nuk blihet, janë “almanaku” i “Kështjellës së Drakulës” shqiptare.
Nuk dihet ende, më shumë mistere fshihen tek Princi Vlad Tepe në Bran të Rumanisë, apo tek Edi Rama, në Surrel të Albanisë.
Dihet që misteret e shekullit të 15-të nuk janë kaq të zeza.
Normalisht, edhe për shkak të pozicioneve publike, ata afër pushtetit, edhe pse me shumë emra e krime mbi kurriz, janë me viza amerikane.
Ajo Rruga e humbur e besimit dhe vetëbesimit, ka çuar buzë greminës së dyshimit kastën që shtrëngon në duar “Kutinë e Pandorës”.
Na kërcënojnë ende ne, se po i sulmuam, hidhen poshtë, bashkë me dosjet, bëhen kamikazë si Ilir Meta kur ishte President Republike, sulmojnë ambasadoren pse ndjek “kaposhët”, u pret krahët dhe pastaj SPAK, aty i ka. Në të vërtetë, ka disa kohë që ambasadorja ka lajmëruar se gjithë “atyre që janë bërë pis nga korrupsioni, nuk do ju pi ujë viza amerikane”.
Për “ujë” dhe burime të reja, kanë luftuar Dragonj e janë ulur në gjunjë Kuçedra…
Sot, pa pritur nesër, janë në luftë ekstremet.
Kuçedra është shtrirë aty, tek burimi; Dragonjtë kanë fituar, Cunami “Viza Amerikane”, do u nxjerr “ujin e zi” hajdutëve, por ata që kanë dalë të krasisin hardhitë, habiten e pyesin njëri- tjetrin, more, dini gjë ç’po ndodh, çfarë ka Yuri Kim që del nëpër fshat me gërshërë në dorë?!/Pamfleti