Miliona euro te sekuestruara, 10 të arrestuar dhe 2 të shpallur ne kërkim.
SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), në bashkëpunim me oficerët e antimafias italiane, zhvilluan mbrëmjen e djeshme një operacion në kullën luksoze 4Ever Green Tower, në pronësi të Alba Ballës, motrës së kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Ballës, në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse.
Ky aksion është rezultat i një hetimi disamujor të programit investigativ italian “Le Iene”, i cili zbërtheu një rrjet të mirëorganizuar mashtrimesh përmes call center-ave. Hetimi dokumentoi mënyrën se si funksiononte rrjeti, duke i referuar më pas çështjen autoriteteve italiane, dhe operacioni në Shqipëri u koordinua nga prokurori Vladimir Mara, me pjesëmarrjen e drejtuesit të BKH-së, Joni Keta.
Sipas raportimeve mediatike gjatë kontrollit janë arrestuar 10 persona, ndërsa dy pronarë të call center-ave janë shpallur në kërkim. Në zyrat e kompanisë janë sekuestruar miliona euro cash dhe dhjetëra kuleta kriptomonedhash, që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të hetuar. Zyrat ndryshoheshin herë pas here për të shmangur kontrollin e autoriteteve dhe për të fshehur gjurmët e rrjetit kriminal, gjë që e bëri hetimin shumë të ndërlikuar.








