Një zjarr i fuqishëm përfshiu mbrëmjen e kaluar restorantin “Villa Gjecaj” në fshatin turistik të Thethit, në Malësinë e Madhe. Objekti është në pronësi të bashkëshortëve Petrit dhe Aida Gjecaj, të cilët janë emra të njohur për publikun: Petriti është oficer pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ndërsa Aida Gjecaj ka qenë më herët e ftuar në një episod të podcastit të kryeministrit Edi Rama.
Paraprakisht, dyshimet flasin për një zjarr të qëllimshëm dhe jo për një incident të shkaktuar nga ndonjë defekt elektrik. Kjo përforcohet edhe nga vlerësimi fillestar i ekspertëve, të cilët kanë përjashtuar mundësinë që zjarri të ketë shpërthyer për shkak të ndonjë shkëndije elektrike, duke sqaruar se energjia elektrike ka qenë aktive edhe gjatë përfshirjes së godinës nga flakët.

Aida Gjecaj, në një prononcim për mediat, ka theksuar se nuk ka pasur konflikte personale dhe nuk ka marrë asnjëherë kërcënime. Sipas saj, ajo është përpjekur të qëndrojë brenda kuadrit ligjor, duke investuar vetëm në një bujtinë me pesë dhoma dhe një restorant të vogël, pa ndërtuar asnjë objekt pa leje ndërtimi.

“Unë nuk kam probleme me askënd, nuk kam borxhe, nuk kam marrë asnjë kërcënim. Kam ndërtuar vetëm çfarë më është lejuar dhe gjithçka e kam bërë me pasion për turizmin e zonës. Kjo përkon me një periudhë të ndjeshme për Thethin, por unë nuk kam asnjë çështje me IKMT-në sepse objekti im është i ligjshëm,” deklaroi ajo.
Ajo shtoi se dëmet e shkaktuara nga zjarri janë të mëdha dhe vlerësohen paraprakisht rreth 150 mijë euro. Sipas saj, “është një rastësi e keqe” që ky incident ndodhi në të njëjtën kohë me aksionet për prishjet në zonë, duke lënë të hapur mundësinë që zjarri të jetë vendosur nga dikush tjetër i prekur nga këto ndërhyrje.
Aktualisht, autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi shkaqet e zjarrit, ndërsa pritet që hetimet të zbulojnë nëse bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme apo për një fatkeqësi aksidentale.








