Shkruan Arben Lagreta*
-Mbërrin menjëherë në Loma Presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Shtypit Frankofon – UPF, senegalezi Madiambal Diagne dhe kontakton me autoritetet për lirimin e tyre.
Denoncimi në media për vjedhjen dhe abuzimin me një fond prej 400 milionë frangave nga Ministri i Urbanistikës së Togos ka cuar ditët e fundit në burgosjen e 2 gazetarëve togolezë; Loïc Laëson, Kryetar i Seksionit të UPF në Togo dhe botues i gazetës togoleze “Le Flambeau des Démocrates” dhe Anani Sossou, gazetar në profesion të lirë. Dy gazetarët në fjalë u dërguan në burgun civil të Lomé menjëherë pas pas arrestimit të tyre dhe sipas informacioneve më të fundit vijojnë të mbahen aty në izolim. Me këtë veprim arbitrar liria e shtypit mori një goditje të rëndë në Togo.
Konfirmimi i mësipërm vjen nga burime zyrtare të Unionit Ndërkombëtar të Shtypit Frankofon (UPF) me qendër në Paris.
Ndërkohë ka qenë i menjëhershëm reagimi ndërkombëtar i UPF. Kështu, përveç njoftimit për shtyp të publikuar, Presidenti Ndërkombëtar i saj Madiambal Diagne (Senegal) ka udhëtuar dhe mbërritur menjëherë në kryeqytetin e Togos, Lome, për të ndërhyrë pranë autoriteteve për lirimin e dy gazetarëve të burgosur në mënyrë arbitrare, ashtu si bëhen zakonisht punët në Afrikë.
Ndërkohë, në një prononcim që dha për TV5, Presidenti Ndërkombëtar i UPF, Madiambal Diagne siguroi se ka shpresë për një lirim të afërt të tyre duke u shprehur.
“Të gjitha palët treguan vullnet të mirë, një mendje të hapur. Jemi në logjistikën e qetësimit, duam të ulim tensionin, duam qetësim dhe, rikthimin e humorit me synimin për të fituar lirinë e gazetarëve dhe kjo është emergjenca më e rëndësishme urgjenca për ne”.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Togos, Lome, Presidenti Madiambal mundi të takonte me këtë rast autoritetet e nivelit të lartë të këtij vendi afrikan si dhe gazetarët me të cilët zhvilloi disa seanca pune. Pas kësaj ndërhyrjeje shpresohet shumë se do të arrihet lirimi i dy kolegëve togolezë që ndodhen në burg për denoncimin e guximshëm të vjedhjes së 400 milionë frangave nga Ministri i Urbanistikës së këtij vendi.
*Autori është Kryetar i Seksionit Shqiptar të UPF