Kjo pa dyshim është sëmundja me e madhe dhe më e rëndë e shekullit për vendin tonë.
Statistikat e shqiptarëve dhe familjeve që braktisin Shqipërinë e bukur natyrale por dhe të dashur, janë të frikshme. Sot mbi 31% e të rregjistruarve ndodhën jashtë Shqipërisë, në emigrim!
Sidomos rinia, e cila nuk e gjen absolutisht vetën, as të sigurtë e as të punësuar në vendin e vet. Për më tepër të arsimuarit që kanë mbaruar shkolla professionale dhe shkolla të larta. Të gjithë, në forma nga me të ndryshmet kërkojnë rrugë duke ju drejtuar kryesisht perëndimit, konkretisht Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve, Italisë etj.
Të gjithë me dhimbje marrin rrugët e botës duke pranuar sakrificat për tu ambjentuar e përshtatur, për të filluar jetën larg vendit të të parëve.
Sidoqoftë, edhe pse nisin punë të rëndomta fillimisht, e ndjejnë vetën më mirë e më të sigurtë në vendet mike, edhe pse në një sens pranojnë të bëhen për pak kohë “skllevër të kohëve moderne”.
Por krahas të rinjëve e të rejave, vitin e fundit është vërejtur një braktisje masive edhe e familjeve shqiptare. Vetëm vitin që shkoi, janë larguar plot 7 000 familje, përveç 40 000 të rinjëve e të rejave! Kjo shifer është e frikshme për një vend të vogël si Shqipëria.
E gjitha kjo është një hemoragji që e dobëson shumë vendin, të ardhmën e saj, sigurinë e saj.
Dhe kjo hemoragji nuk është se erdhi menjëherë. Ka mbi 30 vite që Shqipëria lëngon nga kjo sëmundje, por politikat e të gjitha qeverive nuk kanë punuar për ta ndalur atë.
Vërehet se të larguarit e sotëm nuk ikin vetëm për shkaqe ekonomike.
Ato kanë problem jetën e pasigurtë, kanë problem meritokracinë e munguar, kur meritat i gëzojnë vetëm të fortët, të pasurit dhe servilët.
“Braktisësit” e Shqipërisë ikin se kanë problem energjinë negative që në Shqiperi i rrezatojnë njëri-tjetrit.
“Braktisësit” e Shqipërisë ikin se duan të jetojnë të qetë, me ndershmëri dhe pa strese!
Kjo braktisje, jo vetëm rrezikon boshatisjen totale të vendit, jo vetem rrezikon siguracionet e pensioneve që rritën nga viti në vit, por në një të ardhme shumë të afërt rrezikon shfarosjen apo shuarjen e kombit.
Ndërkohë, spektaklet vizive e televizive të qeverisë por dhe të një pjese të opozitës nuk kanë fund për të mashtruar e mbajtur këtë popull me gënjeshtra e andrralla.
Nuk kanë asnjë faj rinia apo familjet shqiptare që w braktisin Shqipërinë!
Jetën duan ta jetojnë si europianë, ajo jepet vetëm një herë!
Do të kishte qënë më e udhës që në Shqipëri të jetonin e të gëzonin rinia, të dëboheshin politikanët që e mbajtën peng vendin për mbi 30 vite.
Çdo të bëjnë në Shqipëri 750 mijë pensioniste?- a e ka bërë ndonjëherë këtë pyetje politika?!