Shkruan Zef Ndreka
Shumë strategë dhe analistë të sigurisë mendojnë se, nëse ndonjëherë do të ndodhë një Luftë e Tretë Botërore, ajo mund të mos shpërthejë si në vitin 1914 apo 1939, me një deklarim të menjëhershëm lufte mes blloqeve të mëdha. Më shumë gjasa është të duket si një seri konfliktesh rajonale që lidhen gradualisht mes tyre.
Shohim sot, luftëra rajonale që bashkohen, në të cilat ekzistojnë disa zona ku tensionet janë të larta dhe ku përfshihen indirekt fuqitë e mëdha, si Russi-Ukrainë, konflikti në Gaza dhe përplasja mes Hamasit dhe Israelit. Po ashtu, tensionet në mes Kinës dhe aleatëve të SHBA-ve. Luftë e fortë rajonale me rrezikshmëri përhapje më gjërë, është rivaliteti strategjik mes Iranit dhe Israelit.
Po të ndodhin njëkohësisht konfliktet e këtyre rajoneve dhe përfshijnë drejtpërdrejt fuqitë e mëdha, këto mund të bashkohen në një konflikt më të gjerë global:
– në një luftë hibride, jo vetëm me tanke dhe ushtri, por do kishim një luftë globale që do të zhvillohej në disa fusha njëkohësisht, si në luftë kibernetike me sulme ndaj bankave, ndaj rrjeteve energjetike,
komunikimeve dhe internetit.
– do të kishim një luftë ekonomike me sanksione, me bllokada tregtare, me kontroll mbi energjinë dhe lëndët e para.
– do të kishim uftë teknologjike me dronë autonomë, me raketa hipersonike, me luftë në hapësirë kundër satelitëve.
– do të kishin luftë informative, me propagandë, me manipulim të opinionit publik, me dezinformime masive.
Pikërisht, të gjitha këto po i shohim sot të ndodhin.
Atëhere lind pyetja:
A mund të ketë filluar lufta e tretë botërore në heshtje?
Shumë studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare argumentojnë se bota është tashmë në një fazë para-lufte globale, sepse fuqitë e mëdha po përballen indirekt.
Shembull i qartë është Russia kundër NATO-s në Ukrainë, në mënyrë indirekte,
rivaliteti strategjik mes USA dhe Kinës,
përplasjet në Lindjen e Mesme ku përfshihen shumë aktorë rajonalë.
Por ka një dallim të madh nga luftërat e mëparshme. Po të ndodhë që një konflikt global shpërthen, ai nuk ka një fillim të qartë, por përhapet gradualisht në rajone të ndryshme, duke përfshirë ekonomi, teknologji dhe informacione. Konfliktet nuk përziejnë vetëm ushtri dhe në këto raste civilët janë më të ekspozuar se kurrë, pra popujt.
Një pyetje më vjen ta bëj:
A do ta njohim Luftën e Tretë Botërore vetëm pasi të ketë kaluar, ashtu si disa e quajnë “luftë botërore të ftohtë” periudhën e rivalitetit mes superfuqive?!








