Bllokohet spitali privat në Tiranë që përdorte ilaçe të skaduara, 1 mln euro evazion/ Arrestohet adiministratori, shpallen në kërkim 2 bashkaksionerët (VIDEO+EMRAT)
Këtë të enjte, Policia e Tiranës, ka finalizuar operacionin “Bilanci”, ku është arrestuar administratori i spitalit privat “Sante Plus Albania”, Edmond Zaja, ku janë shpallur në kërkim dy aksionerët e këtij subjekti, Bilal Kara dhe Geriana Arapi.
Hetimet disamujore, zbuluan se subjekti kishte fshehur fitime mbi 1 milion euro dhe përdorte produkte të ndaluara për shërbimet shëndetësore.
Gjithashtu, u konstatua se ishin punësuar persona pa siguruar dhe se po kryhej evazion fiskal.
Gjatë operacionit, u sekuestruan 100 blloqe mandatesh të pafiskalizuar dhe 27 lloje medikamentesh të dyshuara të kontrabanduara.
Policia po punon për kapjen e të dyshuarve të shpallur në kërkim dhe vijon hetimet për këtë rast të rëndë kriminal.
Njoftimi i policisë:

Nga hetimet dhe kontrollet rezultoi se:
-subjekti nuk kishte deklaruar fitime me vlerë mbi 1 000 000 euro, gjatë periudhës 2024-2025;
-shërbimet spitalore në këtë subjekt kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim;
-në këtë subjekt punonin shtetas të pasiguruar.
Bllokohet subjekti.
Arrestohet administratori i spitalit privat.
Shpallen në kërkim 2 bashkaksionerët.
Sekuestrohen 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara dhe 6 njësi kompjuterike.
Gjatë operacionit “Bilanci”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan administratorin e spitalit, shtetasin E. Z., 62-vjeç, si dhe shpallën në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasin turk B. K., 45-vjeç dhe shtetasen shqiptare G. A., 32-vjeçe.
Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro.
Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për provimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme