Peshqit e mëdhenj do i shohim në ëndërr të kapur, jo në realitet. Nuk kam pasur ndonjëherë besim tek reforma në drejtësi.
Mendoj që ishte e nevojshme, por ishte zhgënjim si iu shit popullit shqiptar. Është një reformë që ka bërë ca rregullime, por kemi disa defekte.
Një mendim i tillë mbi reformën në drejtësi u dha nga Gjergj Bojaxhi në “Bilardo” në MCN Tv, ku deklaroi se politika, pastrohet me votë, jo me teknikalitete ligjore si reforma në drejtësi kur ti e ke pastruar me votë, bën ca mini rregullime, heq ndonjë që ka shpëtuar.
Sipas tij, reforma në drejtësi ishte e nevojshme por nuk u bë ashtu siç duhet dhe nuk do japë atë që u pretendua dhe iu shit shoqërisë shqiptare.
Bojaxhi tha se tani klasa politike e ka tejkaluar problemin e reformës në drejtësi, nuk e ka panikun dhe frikën, por nënvizoi se është një oportunitet i humbur.
Nëse me votë shoqëria nuk tregon se ka nevojë për një gjë ndryshe nuk ka pse presim nga disa gjyqtarë dhe prokurorë të bëjnë heroin. Ata janë burokratë.
Kush do të bëjë heroin, të futet në politikë. Politika është arena e gladiatorëve. Është arena e atyre që duan të funksionojnë me një rrjedhë të sistemit të ndërtuar.
Ne kemi këtë model ku dikush që nuk e pranon këtë sistem dhe rregulla që i ka ardhur në majë të hundës, ikën, në mos vetë, largon fëmijët.
Ne jemi si tenxhere pa kapak, nuk vlojmë por avullojmë. Ka disavantazh të madh për zgjidhjen e problemeve.
Ne po shkojmë më shumë drejt një zgjidhje natyrore ku njerëzit po ikin dhe gjithnjë e më pak do jetë e nevojshme të kemi shtet, se secili do ketë mirëqenien e vetë.
Nuk mendoj se jemi dakord të jemi kështu siç jemi. Por për shumicën e njerëzve është më kollaj të marrin veten e tyre mbi shpatulla se sa të luftojnë këtu.
Kjo kërkon sakrificë të madhe. Shumica e njerëzve bëjnë zgjidhjen individuale më të rehatshme.
Bojaxhi tha se nëse e djathta do ishte e shëndetshme, dinamike, do prodhonte figura dhe ide të reja, ndau bindjen se Edi Rama është i mundshëm dhe se nuk mendon se është i pamundshëm.
Personalisht mendoj se Rama është model i djegur dhe brenda së majtës të paktën ata të majtë që unë njoh që janë njerëz të shtruar, jo aguridhet e reja. Alternativat për Ramën ishte Berisha dhe Basha.
Shoqëria shqiptare përtej ideologjisë së djathtë apo të majtë, kërkon një jetë më të mirë, ka një sistem vlerash, kam dëshirë të mendoj se nëse shoqërisë do i afrohej një alternativë vërtetë e ndershme dhe jo me gjasme.
Mendoj se shoqëria do e votonte dhe Rama do rrëzohej. Për sa kohë shoqërisë i ofrojmë ato alternativa të djathta që kemi ofruar deri tani, nuk habitem pse Rama fiton.
Unë mendoj se Rama mund të mundet, por e djathta duhet të largohet nga modelet e vjetra. Çështja qëndron brenda së djathtës, a është ky modeli që duhet të çaj përpara, kush është maja e heshtës.






