Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore, këtë e zgjedh vetëm ti

0

Shkruan Albert Vataj

Ne mund të mos jemi të realizuar në ëndrrat dhe dëshirimet tona, sepse jo gjithçka është në dorën tonë, por të mbetemi të mirë është lehtësisht më e mundur, se sa të kërkojmë tek çdo gjë rreth nesh të keqen, për ta përdorur atë si kundërpeshë e asaj që na ka “ndëshkuar” dhe meriton “hakmarrjen” tonë.
Jeta mund të mos jetë treguar aq bujare dhe fati të mos ketë rezervuar gjithnjë diçka të mirë për ne, por ëndrra nuk mund të lejojmë të na i vrasë çdo trazim e ligështi që na zë rrugën. Bota mund të mos jetë siç ne e duam, por ne mund ta bëjmë veten tonë të denjë për atë që meritojmë në një botë që është krijuar sipas përfytyrimit tonë. Jo gjithçka që ndodh në atë larmi të reales kërkon domosdo vëmendjen dhe predispozitën tonë, qoftë atë kritike apo atë ngushëlluese, qoftë atë alarmuese apo atë denoncuese.
Të përpiqemi ta sfidojmë të keqen me zemrën tonë blatuar mirësisë. Le të provojmë ti shohim gjërat nga ana e ndritshme dhe njerëzit t’i pranojmë ashtu siç ata janë, pa kërkuar t’i gjykojmë ato. Ndoshta mirësia jonë nuk do të gjej gjithnjë zemra për ta pranuar, por ne duhet të besojmë se për të kanë nevojë të gjithë. Njerëzit përgjithësisht priren të pozicionohen në anën e gabuar dhe kjo jo për fajin e tyre, sa sa për fatin e keq ku përpëliten gjërat, me të cilat ata janë të lidhur. Ajo gjendje e mbarsur trazimi që kaplon realitetin, ligështon shpirtrat e ndjeshëm dhe çatrafilon pjesën më të madhe të njerëzve, të cilët kërkojnë të pasqyrojnë në gjithçka negativitetin që vetiu janë të prirur ta potencojnë brenda vetes. Për ta çdo gjë është e dënueshme, gjithçka është e bërë keq, gjithëçmos duhet ndëshkuar, asgjë nuk është si duhet dhe në vendin e duhur. Sakaq e keqja brenda nesh e gjen me doemos të keqen, kudo ku ajo të ndodhet. Edhe nëse nuk është ajo duhet sajuar.
Ndoshta besimi do të jetë një mundësi e mirë për tu çliruar nga kjo barrë e panevojshme që kemi huajtur dhe që si pa kuptuar po rëndon duke na zënën përposhtë.
Ti mund ta kesh vështirë të besosh në Zot, sepse Ai nuk ju ka dërguar asnjë shenj për t’iu bindur se Ai ekziston, por të jesh adhurues i mirësisë dhe pozitivitetit dhe ta ushqesh me ngrohtësi brenda vetes këtë diell është po kaq e mundur sa ç’është e dobishme. Mos nxito pas kritikave dhe përqeshjeve, ironizmive dhe përgojimeve, sarkazmës dhe nënçmimit, fyerjeve dhe paragjykimit, mos lejo që gjithçka e keqe jashtë teje të bëhet pjesë e jetës tënde. Organizmi juaj do ta ketë të vështirë ta pranojë këtë ushqim, por më të pamundur do ta ketë metabolizmi juaj ta përpunojë atë. Pranoje tjetrin siç është, nëse mundesh, nëse jo mos e shndërro veten në viktimën e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu