Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka paraqitur sot në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ankimim për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit në Bashkinë e Elbasanit, ku kandidati i Berisha-Meta, Luçiano Boçi, humbi përballë socialistit Gledjan Llatja. ‘Bashkë Fitojmë’ kërkojnë ekspertimin kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike.
Gjithashtu kërkohet këqyrja e kamerave të jashtme dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit me qëllim evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qendrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qenë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi, evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, evidentimin e votimit nga vetë Operatorët e PEVN-ve, evidentimin e votimit të komisionerëve për llogari të votuesve.
“Krahasimin e kodeve te votuesve me listën e votuesve për çdo QV ne Bashkinë Elbasan, ne lidhje me pajisjen e identifikimit te votuesve (PEI). Rinumërimin dhe Rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Elbasan dhe miratim i tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Elbasan duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave”, vijojnë kërkesat.
Teksa kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara Elbasan, Berisha-Meta kërkojnë se pasi të jenë kryer veprimet e mësipërme dhe KAS të ketë krijuar bindjen institucionale se kjo nuk është vota e qytetarëve, i kërkohet anëtarëve të KAS që të përsëriten zgjedhjet me votim tradicional.