Shkruan Naim Flamuri
Shqipëria sot nuk po drejtohet si shtet, por si çiflig personal, ku Kryeministri firmos si mbret, vulos si profet dhe qesh si regjisor, ndërsa populli rri e pret, duke u lutur mos të na bjerë ndonjë tender tjetër në kokë.SPAK-u nga ana tjetër ka shpalosur jo një, por disa dosje që po i nxjerrin në shesh “lubinë” me shumë koka: drejtorë, zëvendësministra, kontrata fantazmë, miliona euro që shëtisin Zvicrës e kthyen mbrapsht në forma që “nuk i gjen dot as sateliti”. Dhe në qendër të kësaj vorbulle? Zëvendëskryeministrja që tani po plotëson figurën e perfekt të një lubie të pangopshme, që nuk i mjaftuan tenderat, por mori edhe qiradhënie incenatorësh, tunele, autostrada dhe dyshime për pastrim parash. Drejtori pas drejtori, institucion pas institucioni, të gjithë në arrest shtëpie. Shteti ka mbetur pa kokë, por në majë të piramidës Mbreti ynë politik vazhdon ritualin e tij: “Firmos, mbylleni! Vulos, çojeni! Mos flisni!”
Asnjë përgjegjësi. Asnjë ndjesë. Asnjë tronditje. E pse? Sepse Rama është i bindur se ata votues që i kanë mbetur, janë të tijat deri në varr. Arrogancë e pastër. Arrogancë që nuk maten më me kilogramë, por me miliona euro të humbura. Po për cilat miliona flasim? Gjyqi i Parisit, 100 milion euro për Beketin, sepse ia shkatërroi biznesin dhe pastaj u shtir si i forti.100 milionë të popullit, jo të tij, që u paguan për gafat e tij. Inceratorët, një aferë që më shumë tingëllon si skenar Netflix-i sesa si projekt shtetëror. Ideja u “përvetësua”, fondet u “avulluan”. Prapë: me paratë e kujt? Bankers, 120 milion euro taksë të falur, ndërkohë që qytetari i thjeshtë paguan litrin e naftës si në Zvicër, me rrogë si në Bangladesh. E pra, këto janë kufijtë e shtetit të kapur. Këto janë kufijtë që u kapërcyen, u pështynë, u harruan. Këtu jemi sot: i varfër, por paguash çmimet më të shtrenjta në Europë. Me të rinjë që ikin me charter drejt azilit, ndërsa qeveria mburret me turistët që vijnë të hanë qofte në bregdet.Dhe çfarë pret qeveria me gjithë këtë? Pret që populli të durojë. Pret që populli të heshtë. Pret që populli të gëlltisë gjithçka si të mos kishte ndodhur asgjë.Por durimi po soset. Dhe pasi soset, nuk ka më kthim. Jo thjesht dorëheqje, jo thjesht zgjedhje, por kërkesë për pastrim të thellë, për qeverisje të tipit Plan Marshall, madje për modele të forta rendi, se kur shteti dështon, populli kërkon shpëtim, jo luks. Shqiptarët e kanë kuptuar se jeta e tyre është bërë llogari:me rrogën më të ulët në Europë, me çmimet më të shtrenjta, me korrupsionin më të pakontrolluar, dhe me arrogancën më të lartë të pushtetit që kjo tokë ka parë në 30 vjet. Dhe kur të vijë dita që ky popull të pyesë: Këto para të avulluara, të falura, të humbura, të kujt janë?” atëherë lubia e vërtetë nuk do jetë më Belinda Balluku. Ajo është vetëm një kokë e vogël e një përbindëshi shumë më të madh. Përbindëshin e ka ndërtuar vetë Rama. Dhe tani ai po zbulon se lubia që ushqeu po i ha kokët një nga një. Studentët në çdo vend të botës janë truri i revoltës, por në Shqipëri auditorët janë bosh sepse shumica kanë ikur, pjesa tjetër po përgatitet të ikë, ndërsa brezi i mbetur është i rraskapitur nga qiratë, varfëria dhe mungesa totale e shpresës. Qeveria i ka shpërndarë që në 2018-ën, opozita sot rend me 200 veta pa busull, dhe askush nuk ngrihet për njerëz që nuk dinë as ç’kërkojnë. Ndërkohë vendi paguan 100 milion për Beketin, fal 120 milion Benkers-it, humb qindra milionë në inceneratorë, mban naftë më të shtrenjtë në Europë me rroga më të ulëta, dhe arroganca e pushtetit sillet sikur ky vend është çiflig privat. Durimi po soset, dhe kur të këputet, këtu nuk ka më kthim.








