BE-ja dhe SHBA-të, demokraci në kohën e lodhjes globale, si demokraci ekzekutive

0

Shkruan Zef Ndreka

Bota sot po kalon një periudhë ngjarjesh të ngjeshura me kriza që nuk vijnë më si përjashtim, por si gjendje e përhershme. Luftrat, pasiguritë energjetike, polarizimet politike, teknologjitë dhe frika kolektive, kanë krijuar një realitet të ri ku demokracitë nuk po rrëzohen me dhunë, por po lodhen nga brenda. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian dhe roli i Shteteve të Bashkuara shfaqen si dy shtylla të një rendi që po funksionon, por gjithnjë e më pak po bind qytetarët.
BE-ja, teorikisht dhe në letra, mbetet një projekt demokratik unik. Institucionet e saj ekzistojnë sepse zhvillohen zgjedhje, gjithashtu liritë formale garantohen por vetëm me ligj.
Gjithsesi, problemi nuk qëndron më tek format e projekteve demokratike, por tek përmbajtja e tyre. Sot vërehet se vendimet reale janë larguar nga qytetari dhe janë zhvendosur drejt burokracive, drejt marrëveshjeve ndërqeveritare dhe logjikës së emergjencave.
Kështu, demokracia sot vetëm po administrohet, nuk po ushtrohet realisht. Ky lloj adminidtrimi krijon një hendek gjithnjë e më të thellë mes institucioneve evropiane dhe shoqërive të saj që pretendojnë të përfaqësojnë.
Krizat e gjata dhe të përhershme kanë prodhuar atë që mund të quhet demokraci ekzekutive. Vendimet merren vertetë shpejt, por shpesh pa debate të gjera publike e të justifikuara në emër të stabilitetit dhe sigurisë. Kundërshtimet etiketohen si rrezik, jo si pjesë e proceseve demokratike. Në këtë ambient, rritja e forcave populiste nuk është shkak, por simptomë e qartë, të cilat ushqehen nga ndjenjat reale të qytetarëve se zëri i tyre nuk ndikon më në drejtimin strategjik të shoqërisë.
Ndërsa roli i SHBA-ve në këtë proces është thelbësor dhe paradoksal. Prej dekadash, demokracia evropiane është ndërtuar nën ombrellën e sigurisë amerikane. Kjo i ka lejuar Evropës të fokusohet në mirëqenie, në shtete sociale dhe konsensus politik. Por varësia strategjike ka prodhuar edhe një efekt anësor shumë të rëndësishëm, mungesën e autonomisë politike.
Vendimet madhore për luftën, për paqen, për sanksionet dhe për energjinë shpesh burojnë nga linjat transatlantike, jo nga debatet e brendshëshme evropiane. SHBA-të nuk e dëmtojnë drejtpërdrejt demokracinë evropiane, por ato mbushin një boshllëk që vetë Evropa nuk ka arritur ta mbyllë.
E gjitha kjo situatë, krijon një demokraci pa subjekt politik të qartë. BE-ja nuk është federatë me popull të përbashkët, as konfederatë e lirë shtetesh sovrane. BE-ja është një rend politik, ku përgjegjësitë shpërndahen dhe llogaridhëniet vetëm zbehen. Qytetarët në BE ndjehen të përjashtuar jo sepse nuk votojnë, por sepse votat nuk ndryshojnë drejtimin thelbësor të politikës.
Nëse SHBA-të dobësohen ose tërhiqen gradualisht nga Evropa, rreziku nuk është një rilindje automatike e sovranitetit evropian, por një shtrëngim i mëtejshëm i demokracive. Në kushte pasigurie, pushteti priret gjithnjë të centralizohet dhe debati më tej vetëm ngushtohet. Kështu, pa një kulturë të përbashkët politike për përgjegjësinë dhe sakrificën, Evropa rrezikon të reagojë me autoritet, jo me demokraci të thelluar.
Ballkani, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, e njeh mirë këtë model. Stabiliteti jo rrallë është vënë përpara demokracisë reale, me elita të toleruara për hir të paqes. Për Kosovën, SHBA-të mbeten shtyllë ekzistence, ndërsa për Shqipërinë, arbitër i domosdoshëm politik. Por asnjë aleancë nuk e zëvendëson shoqërinë aktive dhe qytetarin kërkues.
Rreziku më i madh i kohës sonë nuk është diktatura klasike, por është demokracia e zbrazët, ku gjithçka funksionon, por askush nuk ndihet pjesë e saj. Mediat dhe teknologjitë e përshpejtojnë këtë proces, duke prodhuar reagime pa reflektime dhe informacione pa gjykime. Qytetarët në të vërtetë dijnë shumë gjëra, por kuptojnë shumë pak, fladin shpesh, por ndikojnë pak për të mos thënë aspak.
Demokracia asnjëherë nuk vdes kur rrëzohet me forcë. Por ajo venitet kur qytetari pushon së besuari se pjesëmarrja e tij ka peshë. Nëse BE-ja dëshiron të mbijetojë si projekt demokratik dhe jo vetëm si strukturë teknike, duhet të rikthejë konfliktin politik si vlerë, të kthejë debatin si domosdoshmëri dhe qytetarët si subjekt real të pushtetit. Pa këtë, as SHBA-të, as institucionet, as teknologjitë, nuk mund ta shpëtojnë atë që quhet demokraci.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu