Rusia duket se ka vendosur të tregojë superioritet në çdo aspekt, sidomos kur bëhet fjalë krahasuar me Evropën. Ndaj, së fundmi ajo është “mburrur” me ekonominë, që pavarësisht se është goditur nga sanksionet, ka vazhduar rritjen. “Ekonomia ruse u përshpejtua në tremujorin e tretë, duke u mbështetur në prodhimin industrial”, raportuan zyra e statistikave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, duke vënë në dukje rritjen e konsumit. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i Rusisë u rrit në periudhën nga korriku në shtator me 5.5 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, më i forti që nga fundi i vitit 2021, njoftoi zyra e statistikave Rosstat. Po flasim për ritme rritjeje, nëse janë vërtet të tilla, të cilat janë më të larta se Eurozona. Ajo që është ironike, është se janë jo pak vende që i “zgjasin dorën” për ndihmë diktatorit rus. Viktor Orban, kryeministri hungarez është konsideruar gjithmonë si “kali trojan” i Rusisë në BE. Megjithatë, tani ai nuk është më vetëm. Brenda BE-së janë shtuar “fansat”, së fundmi edhe Sllovakia.
Rritja e ekonomisë
Ekonomia ruse, në periudhën prill-qershor është rritur për 4.1 për qind, ndërsa në periudhën janar-mars ka shënuar rënie për 1.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja ushqehet nga shpenzimet e forta të qeverisë dhe analistët tregojnë për një prodhim industrial më të lartë për luftën kundër Ukrainës. Këta faktorë zbutën ndikimin e sanksioneve perëndimore, të cilat kompanitë ruse duket se po i anashkalojnë gjithnjë e më shumë me sukses, shkruan agjencia e lajmeve dpa.Ministria ruse e Zhvillimit Ekonomik ka ngritur pak vlerësimin e rritjes së aktivitetit në periudhën janar-shtator, nga 2.8 në 2.9 për qind, citon agjencia e lajmeve TASS një raport të shërbimit të marrëdhënieve me publikun e ministrisë, i cili i referohet zv.ministres Polina. Kryuchkova.
Pika e fortë e Rusisë, pa dyshim mbetet nafta, shumica e së cilës në tregun global shitet mbi tavanin e çmimeve, raportoi “Financial Times”. Anëtarët e G7, BE-ja dhe Australia ranë dakord në dhjetor të vitit të kaluar për të vendosur kufirin e sipërm të çmimit të një fuçi nafte ruse në 60 dollarë dhe se çdo kompani që do të paguante më shumë mund t’i nënshtrohet sanksioneve. Qëllimi ishte zvogëlimi i fluksit të parave në Kremlin. Por Moska fitoi më shumë se sa duhet nga shitja e naftës, veçanërisht pasi çmimi u rrit ndjeshëm në pranverën e vitit 2022.Kufizimi i G7 kërkon që siguruesit perëndimorë të anijeve të mbulojnë vetëm dërgesat ruse ku nafta shitet për më pak se 60 dollarë për fuçi. Një numër në rritje i cisternave që transportojnë naftë bruto ruse dyshohet se lundrojnë me pasqyra financiare të falsifikuara ose sigurime jo-perëndimore. Të dhënat konfirmojnë se embargoja e çmimeve është respektuar deri në korrik të këtij viti, kur u thye barriera.
Misioni sekret
Brukseli filloi të kërkonte një zgjidhje që çmimi i naftës ruse të kthehej nën 60 dollarë. FT raporton se Danimarka do të ngarkohet të inspektojë dhe të bllokojë potencialisht cisternat ruse të naftës që lundrojnë nëpër ujërat e saj. Autoritetet në Kopenhagë do të kontrollojnë anijet që kalojnë nëpër ngushticat nën kontrollin e saj, të cilat beson se nuk kanë sigurim perëndimor. Ky është një mekanizëm i miratuar nga Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit, pasi shumica e këtyre cisternave janë të vjetra dhe përfaqësojnë një kërcënim mjedisor. Rreth 60 për qind e totalit të eksportit detar të naftës ruse kalon përmes Detit Baltik, shkruan gazeta britanike e biznesit. Reuters raportoi se Thesari i SHBA-së këtë muaj u kërkoi 30 kompanive operuese të anijeve për informacion mbi 98 anije të dyshuara për shkelje të kufirit. Nga këto kompani, 17 janë nga vendet anëtare të G7, dhe pjesa tjetër janë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, India, Turqia, Republika e Kinës, Hong Kongu dhe Indonezia.Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan këto ditë se do të ndalojnë shitjen e mallrave në Rusi që mund të përdoren për qëllime ushtarake, dhe Bloomberg njoftoi të mërkurën se Dubai nuk është më tregu më i madh për arin rus, tani është Hong Kongu.