Shkruan Zef Ndreka
Gjithnjë kam patur perceptimin se Balluku ka qenë realisht ministrja artificiale e qeverisë shqiptare, që më në fund përfundoi në SPAK.
Ndjesia se Belinda Balluku ka qenë një figurë e fuqizuar më shumë nga vullneti politik i Kryeministrit sesa nga një profil i pavarur teknik apo politik ka qenë e përhapur në diskurin publik.
Pse më është krijuar perceptimi i ministres “artificiale”?
Nga ngjitja e shpejtë dhe fuqia e pazakontë institucionale, Balluku kaloi në role me peshë shumë të madhe, infrastrukturë, energji, zëvendëskryeministre, pa pasur një kapital të fortë politik personal të ndërtuar nga terreni, partiak apo elektoral. Kjo e bën figurën e saj të duket më shumë e deleguar sesa autonome.
Nga lidhja e fortë me Edi Ramën.
Ajo perceptohej gjerësisht si një prej eksponentëve më të besuar të kryeministrit dhe jo si një aktore me axhendë të pavarur. Në politikë, shpesh kjo interpretohet si konstruksion politik i liderit.
Nga portofoli me projekte të mëdha publike.
Tenderat e infrastrukturës dhe energjisë janë sektorë klasikë ku pushteti shpërndahet nga qendra, pra funksioni i ministres ka qenë më shumë ekzekutiv sesa politik.
Sot mbërriti masa e SPAK-ut, që mund të konsiderohet si fund i rolit të saj apo provë e akuzave?
Vendimet për pezullim nga detyra dhe hetimet e SPAK nuk provojnë ende fajësi, por tregojnë se çështja konsiderohet serioze juridikisht dhe
institucionet e drejtësisë tashmë guxojnë të prekin maja të ekzekutivit, por se si figura politike humbet automatikisht legjitimitetin publik, edhe pa vendim gjyqësor.
Në këtë kuptim, përfundimi në SPAK nuk është thjesht proçes juridik, por edhe rishikim i mënyrës si ndërtohen figurat politike në Shqipëri.
Çfarë do të thotë kjo për qeverinë dhe sistemin politik?
Nqs Balluku ishte “artificiale”, atëherë çështja shtrohet:
– A është modeli i qeverisjes i ndërtuar mbi figura të varura, jo autonome?
– A zëvendësohen ministrat jo si aktorë politikë, por si menaxherë të kontrolluar?
– A mos jemi përballë një sistemi ku përgjegjësia reale qëndron më shumë te kryeministri sesa te ministrat e veçantë?
Ky arsyetim më çon në një përfundim se rënia e një figure të ndërtuar nga sistemi shpesh thotë më shumë për arkitektin e sistemit sesa për vetë figurën.








