Autosalloni ku u gjet bomba me telekomandë, pronë e Andi Pajazitit dhe vëllait të tij

0

Policia e Kosovës ka njoftuar sot për gjetjen e një bombe me telekomandë mbi një kioskë që shërben si zyre në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.

Në media po raportohet se ngjarja ka ndodhur në një autosallon.
Sipas Sinjalit autosalloni është në pronësinë e të dyshuarit kryesor për vrasjen në ‘Bon Vivant’, Andi Pajaziti dhe vëllait të tij, Ardit.

Sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare, dy vëllezërit Pajaziti janë bashkëpronarë të kompanisë që merret me tregtinë e veturave.

Sinjali ka telefonuar edhe kompaninë ‘Auto MK’, të cilët kanë refuzuar që të prononcohen lidhur me rastin.

“Nuk folim as nuk jepim intervista”, thanë ata.

Ndryshe, lidhur Policia në koordinim me Prokurorinë kanë nisur të gjitha hetimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Sipas informacioneve, menaxheri i ‘Auto MK’ ka dhënë dëshminë e tij për organet e hetuesisë, ku ka deklaruar se të hënënn para mesnatës ka parë një veturë luksoze me targa të Shqipërisë, prej nga ka dalë një person i dyshuar i cili ka pasur në dorë një qese të cilën e ka vendosur në afërsi të veturave të parkuara.

E, gjatë ditës së djeshme ai ka gjetur mbi kioskën që shërben si zyrë e autosallonit, qeset brenda së cilave kishte bombë të improvizuar me detonator dhe telekomandë.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët bëjnë me dije se njësiti për deminim ka tërhequr mjetin e dyshuar.

“Më 09.01.2024 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se mbi kioskën që shërben si zyre, ka vërejtur dy qese në të cilat dyshohet se ka mjet shpërthyes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, ndërsa njësiti për deminim ka tërhequr mjetin e dyshuar –bombë e improvizuar me detonator dhe telekomandë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe po vijojnë hetimet për identifikimin e të dyshuarve.

Kujtojmë se Andi Pajaziti ndodhet në paraburgim që nga muaji gusht i vitit të shkuar, pasi i njëjti dyshohet se është i përfshirë në incidentin tragjik në lokalin ‘Bon Vivant’ në Prishtinë, ku pas një përleshjeje mes dy grupeve, ka mbetur i vrarë 39-vjeçari, Kastriot Ramadani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu