Alma Bime, ish-drejtoreshë në Ministrinë e Brendshme dhe më herët në strukturat e Antitrafikut, është arrestuar sërish nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka tentuar t’i vërë flakën automjetit të ish-bashkëjetuesit të saj.
43-vjeçarja, e cila ndodhej nën masë sigurie për një çështje të mëparshme kërcënimesh e zjarrvënies, dyshohet se ka dalë nga banesa dhe është afruar pranë makinës së Mareglen Tomorit, me të cilin ka pasur raport konfliktual prej kohësh.
Ndalimi i saj vjen vetëm pak javë pasi në dhjetor u shoqërua nga policia, e dyshuar për djegien e krevatit në vilën e Tomorit në rrugën “Hysen Xhura” në zonën e Kinostudios, si dhe për kanosjen me mesazhe të një shtetasi të huaj që jetonte në të njëjtën godinë.
“Arrestuan shtetasen A. B., 43 vjeçe, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit.”, njofton policia.








