Anthony van Dyck, një mrekulli që zbret në të hyjshmin kumtim estetik me “Virgjëresha dhe fëmija”

0

Shkruan Albert Vataj

“Virgjëresha dhe fëmija” është një nga punët e të shquarit Anthony van Dyck, që i përket periudhës së barokut flamand. Kjo tablo është njiherash përfaqësim më dinjitoz i galerisë së piktorit në tematikën religjioze. Përgjithësisht punët e tij, ashtu si dhe “Virgjëresha dhe fëmija”, dukshëm kanë ndikim nga shkolla dhe penelata e Rubensit, nxënës i të cilit ai ishte.
Baroku flamand ndihet në çdo cep të telajos së kësaj kryevepre, e cila reflekton më shumë se pushtetin që ushtron mbi ne arti, na thërret në përjetimin falenderues për çfarë vetë krijuesi i ka shpërblyer njerëzit më dërgatën e tij të shenjtë, shembullin e përkorjes dhe përsosjes,
“Virgjëresha dhe fëmija” përfshin në mënyrë delikate aluzione tradicionale ndaj mrekullisë, krijimit, besimit dhe marrëdhënies mirënjohëse me një pushtet suprem, altarët e të cilit janë brenda nesh më shumë se nën madhështinë e kishave dhe katedraleve që thërrasin në një jehonë të thellë eterne vetë Zotin.
Flokët e gjata dhe të kredhura nën një cohë shumë të hollë, të Marisë, e identifikojnë atë si virgjëresha e shenjtë, duke aluduar për lindësen e virgjër. Veshja ceremoniale, përhumbja e devotshme në një përkushtim të vullnetshëm të vështrimit të përhumbur lart, mëtojnë tek ajo të epërmin mbretërimin e saj të ardhshëm si Mbretëresha e Qiellit. Ndërsa lakuriqësia e fëmijës që aludon me Jezu Krishtin, u kujton besimtarëve që, mrekullisht, Krishti ishte plotësisht njerëzor dhe plotësisht Perëndi në forcën tonë të ofruar besimit.
Sir Anthony van Dyck (22 Mars 1599 – 9 Dhjetor 1641) ishte artist i Barokut Flamand dhe piktori kryesor i oborrit mbretëror anglez. Ishte i famshëm për portretet e Chales I dhe të familjes e oborrit të tij, që shquhen për elegancë unike. Këto portrete u bënë dominueset në influencën e pikturave të këtij lloji për 150 vitet e ardhme në Angli. Ai realizoi dhe subjekte biblike e mitologjike, duke u bërë novator në bojërat e ujit dhe gravura.
Dyck ishte ndihmësi kryesor i Rubens, i cili e ndikoi shumë. Rubens u shpreh për Dyck si “nxënësi më i mirë”, megjithatë, marrëdhënia e tyre nuk është shumë e qartë.
Ekspozitën e parë e hapi bashkë me mikun e tij Jan Brueghel i Riu dhe pati shumë sukses. Shumë prej portreteve, rreth 52, ishin të artistëve të tjerë, shumica bashkëkohës të vet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu