Anija e parë e madhe turistike e prodhimit kinez përgatitet për udhëtimin e parë

0

Qyteti Magjik “Adora”, anija e parë e madhe turistike e prodhuar nga Kina, i është dorëzuar operatorit të saj, “Adora Cruises”, pas instalimit të të gjitha pajisjeve në anije, raportoi të dielën Grupi Mediatik i Kinës (CMG).

Anija, pas tetë vjetësh studimi dhe pesë vjet projektimi e ndërtimi, u emërtua dhe u dorëzua në Shangai muajin e kaluar, pas së cilës filloi instalimi dhe verifikimi funksional i pajisjeve, si vepra arti, furnizime hotelerie dhe pajisje mjekësore.

Gjithsej 1 292 anëtarë ekuipazhi nga e gjithë bota kanë hipur në anije për t’u përgatitur për operacionet e provës dhe udhëtimin e saj të parë. Së shpejti ajo do të shkojë drejt portit të vet të funksionimit, terminali ndërkombëtar i anijeve turistike Wusongkou në Shangai.

Pas mbërritjes, anija do të lundrojë për një udhëtim provë për të simuluar udhëtimin real, duke kryer teste gjithëpërfshirëse, që përfshijnë menaxhimin dhe shërbimet detare, tha për CMG Guo Jia, drejtor i zhvillimit të biznesit të “Adora Cruises”. Për funksionimin zyrtar, “ne kemi projektuar rrugë ndërkombëtare të lundrimit nga Shangai në destinacionet turistike të njohura në Azinë Verilindore për klientët tanë. Linjat do të zgjerohen më tej në të ardhmen, me më shumë alternativa, si rrugët për në Azinë Juglindore dhe vendet partnere të ‘Një brez, një rrugë’,” bëri të ditur Guo.

Anija turistike, me gjatësi 323.6 metra e lartësi 72.2 metra, si edhe me një peshë bruto prej 135 500 tonësh, mund të strehojë deri në 5 246 udhëtarë në 2 125 dhoma për mysafirët. Ajo është planifikuar të fillojë udhëtimin e parë më 1 janar 2024, duke shënuar fillimin e funksionimit të vet komercial. Biletat janë në dispozicion që nga shtatori.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu