Shkruan Spartak Ngjela
I gjithë korrupsioni i lartë shtetëror që është në proces penal do të konfiskohet.
SPAK i ka në dorë.
Vjedhje e madhe e popullit ka qenë kjo në tridhjetë vite rresht.
Por do të konfiskohen të gjithë; dhe ekspertiza amerikane i ka gjetur edhe paratë e tyre të depozituara në bankat ndërkombëtare madje edhe në ato që janë në freezonë. Edhe paratë e fshehura e të transferuara tek të tjerët; janë nën hetim e po zbulohen rast pas rasti.
Por gjendja ka qenë e rëndë në të gjithë Shqipërinë, në pushtetin qendror por edhe në pushtetin vendor.
Gjithçka është e hetuar. Dhe është përgatitur edhe skema e goditjes penale dhe e konfiskimeve të pasurive korruptive.
Kurse ekspertet amerikanë në ndihmë të SPAK-ut; janë kthyer dhe kanë filluar punë.
Por goditja duhet të jetë e rëndë.
Pyetja që bëhet sot kudo është kjo: çfarë kanë qenë këta hajdutë, kafshë kanë qenë?
Jo, ata kanë qenë hordhi antishqiptarë që pas rrëzimit të komunizmit me intuitë kriminale menduan të vidhnin shtetin dhe të krijonin pasurinë e tyre, në mënyrë që pushtetin politik ta kthenin në një pushtet personal.
Por si i erdhi fati Shqipërisë që filluan hetimet kundër parasë së korrupsionit të lartë shtetëror?
Ishte ndërhyrja e pastër dhe me profesionalizmin e politikës amerikane që, me forcën e presionit të saj, e detyroi politikën e lartë në Shqipëri që të ndërtonte ligjërisht SPAK-un.
Dhe ja, kjo ka qenë fitorja e drejtësisë dhe nëse SPAK-u do ta çojë deri në fund këtë proces; historia do të shkruajë që drejtësia SPAK e çliroi Shqipërinë dhe popullin shqiptar nga korrupsioni i lartë shtetëror që në Shqipëri ka qenë një krim i organizuar.