Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane në botë që të kryejnë menjëherë rishikime të masave të sigurisë, për shkak të përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme.
Sipas një kabllogrami të brendshëm, ambasadat duhet të raportojnë sa më shpejt në Uashington mbi gjendjen e tyre të sigurisë dhe, kur është e nevojshme, të informojnë qytetarët amerikanë për rreziqet e mundshme.
Ky vendim vjen ndërsa tensionet janë rritur pas sulmeve të fundit ndaj objekteve amerikane. Një sulm me dronë dhe raketa goditi Ambasadën e SHBA-së në Bagdad, ndërsa incidente të tjera janë raportuar në Kuvajt, Arabinë Saudite dhe Norvegji.
Zyrtarët amerikanë theksojnë se këto masa janë pjesë e procedurave standarde për përballimin e rreziqeve të sigurisë dhe nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht një kërcënim të ri specifik.
Ndërkohë, konflikti mes SHBA-së dhe Iranit po hyn në javën e tretë, pa shenja të qarta për përfundimin e tij.








