“Ambasadorja” Edi Rama

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Titulli, “Ambasadorja Edi Rama”, as është gabim drejtshkrimor, as tendencë. Për gjininë e emrit, na nxjerr nga “gracka” vetë kryeministri, kurse synimit i jep sens Sali Berisha.

Personi “A”, ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë si “gruaja” e Bilal Shehut dhe askush nuk i tha, “kthehu pas, nuk je femër”, personi “B”, po manipulon turmat si antiamerikan në mes të Evropës dhe askush nuk po i thotë, “mjaft, e derdhe “kupën”, eja në SPAK”.

“Ambasadorja” Edi Rama

Edi Rama

Të dy, janë më afër fundit se sa fillimit të karrierës. Të ngjajnë me personazhet e një aksioni heroik të një filmi horror, ku duke u ngjitur lart në “artin” e aktrimit, urrehen pafundësisht nga audienca, sa të gjithë thonë, sa katilë, shkofshin në Djall!

E keqja ka filluar të derdhet nga ena e Mafies.

Mediat tona, këto kohë ku “Peshqit” e mëdhenj janë të gjithë në radhë për tu tiganisur në “vajin” e përvëluar të drejtësisë së ftohtë, kanë bërë një shpikje që ju intereson Sali Berishës, Ilir Metës, Fatmir Mediut dhe ja ka ënda edhe Edi Ramës. Po u fryjnë nga poshtë televizioneve, të ndezin “zjarre” me inceneratorë, kanë hapur edhe “portat e portaleve” e nga “tribunat” e Krimit po mbushin eterin me  lajme të rrezikshme, si kur punën e ambasadores amerikane po e bën Edi Rama dhe atë të kryeministrit e mbulojnë McGonigal, Mafia dhe Yuri Kim.

Të mbash me “dhëmbë” e me “thonj” çfarë ke vjedhur, duhet të mbash me patjetër në pushtet mafien, të ndërthurësh reflekse me nuanca dyshuese, deri tek dyshimi.

Arrestimi nga SPAK-u i ndonjë krye bashkiaku periferik, po tejkalon ca realitete virtuale triller, dukshëm të sajuar për frymëzim të një gjenerate që po rrokë me dashuri fatkeqësinë e vet, drejtësinë. Në flasim për drejtësi, SPAK, do duhej të filtronte “ujin e zi” mbi miqtë tanë amerikanë, se aty kemi të varur kalendarin e shpresave, jo të “krehë leshin” e mafiozëve.

Këtë po bëjnë antiamerikanët sot, po sulmojnë shpresat.

Fakti se çdo zyrtar për 32 vjet ka abuzuar me pushtetin, se secilit mund t’i trokasë drejtësia pas portës, duhet spërkatur me dyshimin, se jo vetëm fatkeqësitë, por edhe fantazitë, janë të përlyera në krimin ekonomik, politik dhe shoqëror.

Sa herë Sali Berisha përpiqet t’u japë shkëlqim shpifjeve, të shpërndajë xixa e reflekse antiamerikane mbi vlerat perëndimore, të ngjitet aq lart sa merr nëpër gojë ambasadoren amerikane si Djall e kryeministrin si qukapik që thjesht çukit vend e pa vend, jemi në baltovinën që njerëzia me zor çapitet.

Pas lajmit të mirë se Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar urdhër arresti për Presidentin rus Vladimir Putin, arrestimi i gjithë “grabitqarëve tanë, duke nisur nga këta që kanë lëshuar gjuhën, paratë dhe krimin si zagarët në gjueti, do të ishte veprimi më efektiv për zhvillimet demokratike.

Të gjithë tallen me pafajësinë e turmave.

Lajmin e madh të Tribunalit të Hagës për urdhrin e arrestimit të Vladimir Putin, të gjitha mediat turke, ruse e kineze të Tiranës, e përtypën me zor dhe e “fshehën” pas takimeve të Berishës që po shfrytëzon pafajësinë e turmave, të etura për ndryshim. Fajësia e veshur me kostum pafajësie, nuk ngjan paswordi i duhur drejt pushtetit, por rruga e sigurt drejt burgut.

Saliu me administratën rrugore dhe Edi me administratën shtetërore, janë ca “qukapikë” para ujqërve si Vladimir Putin. E kur egërsirat që dëmtuan demokracitë botërore izolohen, edhe mafiozët tanë e kanë pas veshit. Nuk i shpëton dot askush, as ambasadorja Edi Rama./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu