Senati Amerikan i miratoi propozimin e presidentit Joe Biden që David Kontelancik të jetë ambassador i SHBA në Shqipëri, si pasues Yuri Kim. Me një karrierë të gjatë në diplomaci, ai flet shqip ndërsa ka punuar edhe më parë në ambasadën e SHBA në Tiranë.
David Kostelancik do të jetë ambasadori i ri i fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Diplomati i propozuar nga presidenti, Joe Biden, si pasues i ambasadores Yuri Kim mori miratimin e Senatit Amerikan.
Në seancën dëgjimore në Senat në fund të marsit, Kostelancik theksoi se luftën ndaj korrupsionit në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se eksperienca prej 3 dekadash në diplomaci dhe dëshira për të forcuar partneritetin SHBA-Shqipëri, e bëjnë të duhurin për të qenë përfaqësues i Uashingtonit në Tiranë.
David Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në Ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë.
Njohja e gjuhës shqipe pritet t’i lehtësojë edhe më tepër detyrat si Ambasador në vendin tonë.
Zëvendësi i Yur Kim po ashtu është njohës i gjuhës ruse dhe asaj turke.
David J. Kostelancik është diplomat i Shërbimit të Jashtëm të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grada Këshilltar Ministër.
Ai ka nisur të shërbejë si këshilltar për politikën e jashtme të kryetarit të Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley, në gusht 2021.
Ai ka shërbyer dy herë në ambasadën e SHBA-së në Moskë dhe i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Budapest, në Hungari.
Kostelancik ka qenë i emëruar në Departamentin e Shtetit Amerikan si Drejtor i Zyrës për Çështjet e Europës Jugore – Qendrore.
Ai ka shërbyer si Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse, në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike.
David Kostelancik ka qenë Drejtor i Zyrës së Europës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit.