Altin Dumani në pritjes për një telefonatë nga Amerika, do jetë zevëndës Arben Krajë

0

Shkruan Frrok Çupi

Tani që sapo mbaroi puna e zgjedhjes së prokurorit të madh të SPAK, na duket se kurrë nuk paskemi zgjedhur prokuror. Jemi aq keq saqë mendojmë se asnjë nga këta prokurorë nuk vlen; por jemi edhe më keq kur mendojmë: ‘Po hajde po deshe, gjeje një prokuror ose një gjykatës që të jetë i vërtet!’.

Disa tipa që rrinë me një këmbë te norma zakonore dhe një këmbë te ligji, mund ta shprehnin më shqeto këtë që thashë më lart. Mund ta thoshin se ‘nuk paskemi burra për të Drejtën!’.

I kam parë prokurorët e lartë që kemi sot, një ditë me një lloj brilantine, një ditë tjetër me të krehur në anën tjetër; dhe më është krijuar përshtypja se këta që në mëngjes iu përkëdhelen favoreve zyrtare, makinës që pret në oborr, shoferit që ka blerë parfum të ri, xixëllimit të shkallëve të zyrës, e mandej edhe pritjes për një telefonatë nga Amerika.

Asnjëherë nuk i kemi parë këta njerëz me duar me baltë, as me djersë në ballë, as me sy që shprehin vendosmëri apo dhimbje.
Këta thurin vjersha teksa ndodhen në dhomat e Aushvicit!…

Të paktën të kishim parë ndonjërin duke rrëmuar tokën e varreve në Gërdec, ose edhe duke folur me nënën e djaloshit 7 vjeç që u vra barbarisht… Si për shembull prokurorin italian Giovani Falcone apo amerikanin Robert Jackson. Të dy u përballen me bishat e krimit të madh të nazizmit.

Ne tani ndodhemi në pikën më të vështirë të Drejtësisë së Njeriut në këtë komb me tradita drejtësie; prandaj na duken akoma më shumë ‘spitullaqë’ prokurorët që na ofrohen ‘brilantinoz’ për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme.

Nuk e lidha këtë me veshjen e krehjen, tmerrohem me spitullaqllëkun ndaj detyrës së lartë. Këta nuk janë gati të plotësojnë asnjë nga ato çfarë presim nga Drejtësia.

Kur i dëgjova sot të tre prokurorët kandidatë për drejtues i SPAK, menjëherë më tha një mendje se ‘kjo iku’, mund të shpallet një datë tjetër; dhe me disa kriterë të tjerë. Kriteri mund të ishte edhe vetëm një: Cili është gati të përballet me krimin, me korrupsionin, me përbindëshat e mëdhenj që e shkatërruan vendin, që dogjën gjithë pasurinë kombëtare deri në vitin 1990, që bënë luftë civile e grushte shteti, që vranë njerëz dhe pasuruan familjen, që minuan demokracinë… A del kush t’i bëjë këto punë?

Ndryshe le të kthehemi te Drejtësia para- politike dhe t’i themi kombit në sy se ‘ti nuk je i zoti të nxjerrësh as prokurorë e as gjykatës’. Prokurorët dhe gjykatësit kanë helmuar shoqërinë tonë; vallë tani si mund të thonë se ‘jemi të tjerë’.

Sot tre prokurorët thanë disa të vërteta që na duhet t’i qajmë me lot.

Çfarë tha njëri, Kondili?

Ai tha se në programin e tij është pikësynimi që të shmangë përplasjen me BKH!… Ky, me siguri, na garanton se brenda SPAK nuk do të ketë përgjakje, nuk do të ketë luftë civile… Ne qytetarët duhet të mbetemi të kënaqur se nuk po na vriten mes veti prokurorët… Po ata që kanë vrarë e vrasin popullin, ku do të jenë? Në sallën tjetër ku lejohet lufta? Tmerr. Si mund të jetë prokuror, as i prokuror i pulave të fshatit, ky njeri.

Çfarë tha Dumani?

-Unë- tha- kam garancinë se kam qenë zëvendës drejtues i SPAK. Domethënë na tha sinqerisht se do të jetë një ‘Ben Kraja’ i dytë; ose më pak se Kraja, d.m.th zëvendës. Të gjithë po shpresonin të kundërtën, por edhe kjo dritë kandili u fik. Dumani u krenua se ka arrestuar një qyqare në Krujë, një qyqar në Sarandë dhe se po gjykon CEZ-DIA. CEZ DIA po milet si lopë edhe nga Drejtësia për 20 vjet.
Çfarë tha Adnand Xholi:

Zoti Xholi na dha besën e familjarit se nuk do t’i lërë fëmijët ta presin deri vonë. Këta burra të dobët sa herë u kërkohet gjë me peshë, të vënë përpara o gruan, o gjyshen, o macen e shtëpisë që ka marrë një të ftohme.

‘Mendoj një nga pikat e mia të forta: Nuk po shohim kalamajt tanë”, tha zoti Xholi kur po tentonte kryesimin e SPAK.

Të vetmin mjet që këta do ta përdorin në intense, pra, do të jetë pasqyra. Për një burrë prokuror edhe kësaj here na iku treni. /Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu