“Aleksandri i Madh”, “Troja” dhe ” Gjuha Shqipe”, e vërteta ndryshe që refuzohet nga libraritë e Tiranës

0

Shkruan Halil Teodori

Nuk jam historian i zyrave, as shkrimtar që kërkon duartrokitje për lavdi dhe privilegje. Jam një njeri i fjalës së lirë, i bindur se ajo që nuk thuhet, që fshihet dhe që heshtet, shpesh ka më shumë vlerë se ajo që është përsëritur në kor prej shekujsh. Kam zgjedhur të flas për Aleksandrin e Madh, Trojën,dhe per Gjuhën Shqipe dhe jo vetëm, jo për të ngritur kulla iluzionesh mbi rërën e legjendave, por për të shkundur harresën, për të goditur portat e një kujtese të ndrydhur dhe për të rikthyer në mendjen e lexuesit shqiptar një të vërtetë që i është mohuar me sistem.


Kam shkruar këto tre libra, Aleksandri i Madh, Troja, dhe Gjuha Shqipe, si përpjekje për të rivendosur një pjesë të historisë sonë që është heshtur, vjedhur apo tjetërsuar. Jo për të krijuar mite, por për të ndihmuar në riafirmimin e një identiteti që ka rrënjë të thella në tokën që shkelim, që nuk është vetëm tokë e të mbjellave, por edhe e të lavdishmëve. Kam ndjekur gjurmët e lashtësisë me sytë e një shqiptari që kërkon të kuptojë përse jemi shpesh të përjashtuar nga rrëfimi i qytetërimit, përse na është ndërtuar një e kaluar që nuk na përfshin, pse kemi pranuar të mos pyesim më:
“Pse jo ne?”
Por fjala ime ka hasur pengesa.
Librat e mi, në vend që të shërbejnë si ura për tek lexuesi, janë refuzuar nga disa prej librarive më të rëndësishme në Tiranë. Librari që dikur ishin tempulli i fjalës së lirë, sot janë kthyer në porte të mbyllura për mendimin që shkel jashtë kornizës.
Nuk i kanë pranuar librat e mi në stendat e tyre, si të ishin mall i pavlerë, apo më keq, si të përfaqësonin një rrezik për mendësinë që kërkon të ruajë monopolin e së shkruarës.


Këtë refuzim nuk mund ta shoh ndryshe veçse si një pjesëmarrje të heshtur në një përpjekje për të mbyllur gojën mendimit ndryshe, për të përjashtuar çdo zë që nuk i bindet versionit zyrtar të historisë.
Nuk më dhemb për veten, por për lexuesin që privohet nga mundësia të dëgjojë një tjetër zë, një tjetër këndvështrim, një tjetër qasje që nuk pretendon të jetë absolute, por e drejtë në përpjekjen e saj për të shpjeguar me ndershmëri.
Unë nuk jam as i pushtetshëm, as i favorizuar.
Por ofrohem me modesti dhe këmbëngulje. Kërkoj vetëm një gjë: që lexuesi shqiptar të ketë mundësinë të më dëgjojë. Të lexojë fjalën time dhe të gjykojë vetë. Të zgjedhë vetë çfarë është e besueshme dhe çfarë jo. Sepse, edhe pse për Aleksandrin e Madh dhe për Trojën është shkruar shumë, unë besoj se ka ende diçka të pathënë. Dhe është kjo pikërisht ajo që dua të ofroj:
jo thjesht një risi, por një pasurim të mendimit, një thyerje të heshtjes.
Nuk kërkoj të jem i pëlqyer.


Kërkoj të jem i dëgjuar.
Sepse historia nuk është një kështjellë e mbyllur, por një fushë e hapur, ku duhet të garojnë të gjitha mendimet. Dhe nëse mendimi im e trazon atë që është konsideruar e palëkundur, atëherë ky është shërbimi im ndaj lexuesit tim, ndaj vendit tim, ndaj së vërtetës.
U kujtoj zotërive të librarive të Tiranës, se pavarësisht refuzimit, që librat e mi të jenë së bashku me qindra e qindra autorë, ofrohem në këtë sfidë një zë i veçantë dhe i guximshëm në peizazhin e studiuesve shqiptarë të historisë.
Vi si një autor që nuk ka zgjedhur rrugën e të përshkruarit të njohurive të gatshme, por të hetimit, të studimit dhe të risjelljes në dritë të asaj që shekujt, ideologjitë dhe pushtetet e kanë mbuluar me heshtje. Me tre veprat e mia, “Aleksandri i Madh”, “Troja” dhe “Gjuha Shqipe”, sjell në vëmendje figura kyçe të botës antike, si Homeri dhe Aleksandri, por i lidh ata me një narrativë që na përket, një rrëfim i cili ka zënë vend në ndërgjegjen e popujve të tjerë, ndërsa ne jemi lënë në mëdyshjen e ekzistencës sonë historike.


Unë nuk jam një romantik që ndërton kulla iluzionesh mbi rrënojat e së shkuarës, por një studiues që kërkon të rikthejë dinjitetin e një kujtese të grabitur, të tjetërsuar dhe të manipuluar. Unë nuk e shoh historinë si një muze, por si një fushë betejash për të vërtetën.
Në shtjellimet e mia, Troja nuk është thjesht një qytet i rrënuar, por një simbol i një trashëgimie të përbashkët, ku gjurmët shqiptare nuk janë të fshehta, por të injoruara.
Aleksandri i Madh nuk është vetëm një strateg i jashtëzakonshëm, por një figurë që, sipas asaj që konkludoj në hulumtime, bart në rrënjë gjuhën, zakonet dhe gjakun e kësaj toke, të cilës i është mohuar çdo lidhje me lavdinë.

Unë ftoj të mos e pranojmë më historinë e shkruar nga të tjerët për ne, por të kërkojmë, të shkojmë përtej versioneve të gatshme, të lexojmë mes rreshtash, të dëgjojmë atë që u hesht. Ai kushtron brezit dhe atyre që e refuzojnë se të dish kush je, nuk është një akt krenarie bosh, por një detyrë e vetëdijes, ku secili ka peshën e vet të pjesëmarrjes, përkushtimit dhe përgjegjësisë.
Dhe ndoshta, pikërisht për këtë, veprat e mia janë më shumë se libra, janë një thirrje. Një thirrje për ata që mendojnë se ne kemi ardhur vonë, se s’kemi pasur heronj, se kemi qenë spektatorë dhe jo pjesëmarrës në dramën e historisë.
Kjo tokë, përveçse është mbjellë me mund, është larë me lavdi. Dhe se rrënjët e identitetit tonë janë të thella, të mëdha dhe të paanashkalueshme, mjafton të kemi kurajën të shohim dhe të kujtojmë.
Dhe një derë e mbyllur sot, pavarësisht se derë librarie, derë tregtimi të librit, është një refuzim, një moslejim që lexuesi të jetë i aksesueshëm karshi një historie të shkruar jashtë katedrave dhe akademive, larg censurës dhe urdhëresave dogmatike, por një version unik, një qasje për të parë përtej.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu