Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpreson se do të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë këtë vit, pas disa raundeve të bisedimeve të dështuara mes dy palëve. Kurti theksoi se është e rëndësishme që viti 2024 të jetë final, pasi dëshiron që pas kësaj të vazhdojë të merret me çështje të tjera të rëndësishme.
“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë uroj për këtë vit, për vitin 2024, dhe në vitet dhe dekadat e ardhshme dua të dal fitimtar në çështje si pabarazia sociale, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë”, deklaroi Kurti në një intervistë për AFP.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, bisedimet kanë nisur fillimisht përçështje teknike, për të kaluar pastaj në nivel politik.
Normalizimi i marrëdhënieve, njëherësh, është kusht për të dyja vendet që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.