Akuzat e Ahmetajt për lidhjet me krimin/ Rama: Mos e merrni seriozisht, pyll pa derra nuk ka

0

Rama tha gjatë intervistës për mediat italiane se nuk do i besonte dikujt që flet pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit.

I vënë përballë emrave konkret të krimit të përmendura nga Arben Ahmetaj, Rama tha se nuk mund të fliste për dikë që nuk ishte aty. Ndërkohë, teksa gazetari i përmendit postet kyçe që Arben Ahmetaj ka mbajtur në Qeveri, Rama tha se “pyll pa derra nuk ka”.

INTERVISTA

Rai3: Kemi folur me një eksponent, ish-eksponent të rëndësishëm të qeverisë suaj, i cili pretendon se vitet e kaluara, shpesh, gjatë mbledhjeve zyrtare të qeverisë, ka paralajmëruar për kanabizimin dhe se ju keni thënë që do të jetë një “boost”, një kontribut i rëndësishëm për ekonominë, do të zhvillojë shqiptarët. A është e vërtetë?

Rama: Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen.

Rai3: I njëjti person pretendon se në këtë zyrë kanë ardhur edhe shefat e organizatave kriminale shqiptare dhe që ju i keni takuar këtu.

Rama: I njëjti burim.

Rai3: Po.

Rama: Atëherë, duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë.

Rai3: E, megjithatë, ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeveritë tuaja.

Rama: Ah! Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka”.

Rai3: Po, a është e vërtetë apo jo që ju keni takuar figura të krimit të organizuar shqiptar.

Rama: Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj.

Rai3: Megjithatë, unë jam këtu për të dëgjuar mendimin tuaj.

Rama: Do t’ju them këtë. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. I takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit, sepse, nëse unë ju akuzoj tani ose nëse ju bëj një pyetje të pafajshme, po që është e rëndë: “Më falni, mos ju ka paguar gjë Becchetti?” Ju takon juve ta vërtetoni apo më takon mua ta vërtetoj? Atëherë, nëse unë jua bëj këtë pyetje, ju do thoni: “Sigurisht që jo.” Po nuk është kjo mënyra për të ushqyer publikun, sepse, ndërkohë, po t’jua bëj këtë pyetje, publiku do të nisë të mendojë me vete, “ëhëëë”, pasi, përgjithësisht, qenia njerëzore është shumë herë më e prirur të tërhiqet gënjeshtrat sesa të vërtetat. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë.

Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj, ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur.

Rai3: Sigurisht, një detaj specifik për figurën e Erebus (zoti i krimit) Agasit, domethënë Erebus Agasi mund të jetë paksa ai që ka raporte…

Rama: Më fal, po si mundemi të bëjmë ne një intervistë, me ju që përfaqësoni një program të famshëm në Itali, që ka bërë edhe hetime, të cilat kanë bërë zbulime befasuese, pra shërbimi publik, dhe me mua që jam Kryeministri i Shqipërisë, e këtu e sjellim bisedën në një nivel kaq të ulët dhe flasim për njerëzit. Domethënë, marrim emra njerëzish, të cilët as nuk janë të pranishëm, nuk kanë poste e tituj, njerëz që kanë jetët e tyre, nuk është e mundur.

Rai3: Unë ju bëj një pyetje, përgjigjja juaj mund të jetë bindëse.

Rama: Përgjigjja ime është kjo: “Nuk është në shërbim të publikut të marrësh emrat e njerëzve, që kanë jetët e tyre, që janë në punën e tyre, të cilët nuk kanë lidhje kurrkund me punën tuaj, me punën time, që është një punë me peshë, ku flitet vërtet për gjera me peshë, e bëhen pastaj objekt.

Rai3: Po edhe media shqiptare flasin për Agasin si njeriu hije i pushtetit tuaj. Është kështu apo jo?

Rama: Jo. Mediat shqiptare nuk bëjnë dallim. Unë midis “Report” dhe homologes së tij në Shqipëri zgjedh Report-in. Domethënë, për mua neveria e Report-it është mjaltë krahasuar me neverinë e homologes suaj këtu në Shqipëri. Mediat shqiptare nuk janë një argument për këtë. Unë, kur flas me ju, duke qenë se më përmendët arkitektët, flas me dikë që përfaqëson kategorinë që, le të themi, është krijuar nga Montanelli, jo kategorinë e krijuar nga Enver Hoxha.

Rai3: Duke hyrë më konkretisht në gjërat për të cilat ka prova të dokumentuara: takimet tuaja me Luftar Hysën. Pse jeni takuar me Luftar Hysën këtu në vitin….

Rama: Një tjetër emër që përmendet si pa të keq. Më fal, po nuk dua të humbas mundësinë për të dalë në transmetim te ju duke përmendur emra, që nuk di as çfarë duan të thonë apo kush janë.

Rai3: Sipas autoriteteve kanadeze është një prej pastruesve më të mëdhenj të parave dhe i kartelit të lojërave të fatit. Këtu në Shqipëri i është dhënë koncesion për një kazino, kështu që flasim për fakte dhe rrethana mjaft konkrete.

Rama: Unë ju them këtë, që ju flisni për Engjëll Agaçin dhe këtu ishte kulmi i emisionit tuaj.

Rai3: Do jua bëj pyetjet për Agaçin.

Rama: Epo, ndërkohë që më flisni për emra që nuk hyjnë fare. Është një fyerje e inteligjencës, të zësh në gojë emra.

Rai3: Po, për mua si gazetar, fakti që kreu i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë takohet me një figurë që, më pas, zbulohet se është pastruesi i parave të kartelit Sinaloa dhe një nga pjesëtarët më të rëndësishëm, për mua ky është lajm dhe unë do t’ju pyes për këtë. Nuk do bëja mirë zanatin tim, nëse nuk do ju pyesja.

Rama: Më falni, unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, më falni, po ju takoheni me Francesco Becchettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu