Shkruan Blerina Gjoka
Në një seancë dëgjesash me disa institucione në kuadër të mbledhjes së mendimeve për ndryshimet në ligjin zgjedhor, komisioni bipartizan dëgjoi të enjten edhe DAP-in, ndaj të cilit u ngritën shumë pyetje për një nga shqetësimet kryesore të fushatave zgjedhore, atë përdorimit të burimeve njerëzore publike në fushatën e Partisë Socialiste në pushtet.
Bashkëkryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj tha se administrata ishte nën presioni politik që të përdorte rrjetet sociale për të shpërndarë propagandën e qeverisë dhe të partisë në pushtet, jo vetëm gjatë fushatës, por gjatë gjithë kohës.
“Ka konstatime në raportet e ODIHR-it për presionin politik, punësime jashtë rregullave gjatë periudhës zgjedhore, administrata publike ka vetëm ‘like’ dhe ‘share’ në postimet e kryeminisrit çdo ditë të punës, kjo nuk u bie në sy?” pyeti Alibaj përfaqësuesen e DAP, Marcela Kërëku.
Kërëku, që drejton zyrën e Integritetit, Mbikëqyrjes dhe Ankesave Administrative e Gjyqësore në DAP, nuk e hodhi poshtë konstatimin e Alibeajt, por tha se ky institucion nuk kishte mekanizma monitorues për sjelljen politike të nëpunësve civilë.
“Ligji për Shërbimin Civil i ka përcaktuar qartë liritë politike, por dhe kufizimet ligjore,” tha ajo, duke shtuar se “shprehja hapur e qëndrimeve politike është e ndaluar me ligj”.
“Ne si departament vihemi në lëvizje me ankesa, nuk kemi mekanizëm monitorues se sa like e share mund t’i bëhen kryeministrit apo një partie politike,” tha Kërëku, ndërsa solli si shembull se në zgjedhjet e kaluara ishte trajtuar vetëm një rast ndaj të cilit ishte hapur hetim administrativ.
Ndërkohë për përfshirjen e administratës në fushatë, ajo sqaroi se kjo është e ndaluar vetëm jashtë orarit zyrtar të punës dhe të jetë në formë vullnetare, jo e detyruar.
“Në këtë rast ne mund të aplikojmë mekanizma monitorues se si zhvillohet kjo e drejtë e tyre,” tha më tej përfaqësuesja e DAP duke saktësuar se edhe në këtë rast hetimet për shkelje disiplinore merren vetëm në kuadër të denoncimeve.
Një tjetër shqetësim i Alibeajt ishte rritja e numrit të punësimeve para zgjedhjeve, por përfaqësuesja e DAP nuk e pranoi si konstatim. Sipas saj, planet e punësimeve bëhen në fillim të çdo viti dhe nuk ka ndonjë diferencë të madhe nga një vit i zakonshëm me një vit zgjedhor dhe sipas udhëzimeve të KQZ-së është pezulluar procedura e rekrutimit para zgjedhjeve.
Në një proces të kontestuar nga grupimi më i madh i opozitës në parlament i njohur si “rithemelimi, komisioni për reformën po vijon punën e tij që nga janari pas 2 vitesh mosfunksionimi. Para se të kalojnë në propozime konkrete që pritet të ndryshojnë Kodin Zgjedhor komisioni ka ftuar të gjithë institucionet dhe aktorët civilë të interesuar për të dhënë oponionet e tyre për reformën.
Të enjten ky komision mbajti dëgjesa edhe me Autoritetin e Mediave Audiovizive; Agjencinë e Inteligjencës Financiare; Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve; Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale; Prokurorinë e Përgjithshme dhe Policinë e Shtetit, ndërsa Prokuroria e Posaçme nuk i ishte përgjigjur ftesës së komisionit.
Përfaqësuesit e këtyre institucioneve bënë një tablo të rolit të tyre në procesin zgjedhor dhe problematikat e hasura për të kryer këto funksione që ua cakton kodi./BIRN