Shkruan Leons Hasani, pedagog i shkencave ekonomike
Me qëllimin për të mbajtur gjallë ambiciet dhe pretendimet territoriale ndaj Tajvanit, Kina ka shtuar ditët e fundit praninë ushtarake duke shkelur në mënyrë brutale hapësirën detare dhe ajrore të shtetit të Tajvanit nëpërmjet të ashtuquajturës stërvitje ushtarake. Akt i cili mund të tejkaloj në faza më të rënda të përplasjes mes dy shteteve çka do të përbente një kërcënim serioz për gjithë sigurinë globale.
Pekini gjithmonë e ka pretenduar si të vetin territorin e Tajvanit, edhe pse nuk e ka qeverisur kurrë. Nga ana tjetër Tajvani si një shtet i lirë dhe demokratik e ka të drejtën legjitime të orientojë marrëdhëniet diplomatike drejtë vendeve që ndanë vlera dhe besime të përbashkëta. Por siç duket qeverisë kineze nuk i pëlqen kjo gjë, madje ajo shkon përtej kësaj duke kërcënuar Tajvanin dhe shtete të tjera demokratike.
Kërcënimi i qeverisë kineze këtë herë lidhet në mënyrë direkte me mbërritjen e Presidentes se Tajvanit, Tsai Ing-wen, në Nju Jork të SHBA-së, për udhëtimin e saj drejte Amerikës Qëndrore dhe të një takimi të mundshëm gjatë kthimit me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kevin McCarthy.
Reagimi Kinës ka qënë i shpejtë, i ashpër dhe kërcënues si ndaj Tajvanit po ashtu edhe ndaj SHBA- së, duke i paralajmëruar për pasoja serioze nëse ky takim ndodh. Ndërkohë që SHBA dhe BE e cilësojnë kërcenimin e Kinës si të papranueshëm dhe të ekzagjeruar lidhur më udhëtimin e Presidentes se Tajvanit.
Duhet të theksojmë se ky është udhëtimi i shtatë i Presidentes Tsai duke kaluar nëpër SHBA dhe se në total është hera e 29-të që një president i Tajvani kalon tranzit përmes SHBA-së.
Ndërkohë që Kina zotohet për paqe dhe stabilitet global në krahun tjetër nuk heq dorë nga ambiciet e saja për të sulmuar dhe aneksuar Tajvanin, një shtet të lirë dhe demokratik që ka zgjedhur orientimin perëndimor. Kësisoj çështja dhe reagimi i Tajvanit na kujton ne shqiptarëve rastin e Kosovës e cila u shkëput nga ish-Jugosllavia dhe ndikimi serb, duke orientuar boshtin e saj kah vlerave euroatlantike. Kina është rreshtuar vazhdimisht në gjeopolitikën botërore në krah të Rusisë dhe si pasojë mbështet fuqishëm Serbinë në luftën e saj për të rimarrë Kosovën. Gjithashtu, vitet e fundit Kina ka furnizuar me armë dhe armatime Serbinë, veçanërisht me disa dronë luftarakë. Kina se ka njohur Kosovën si shtet dhe është bërë gjithmonë pengesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të, duke u pozicionuar në krah të Rusisë. Pra, çështja e Kosovës është kthyer për Rusinë dhe Kinën si një kauzë kundër gjithë vendeve të botës perëndimore, që përfaqësohen nëpërmjet BE-së dhe NATO-s. Ndaj dhe ne si qytetarë të lirë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se çdo shtet dhe çdo popull ka të drejtën legjitime të ekzistencës dhe të vijimësisë së tij si komb dhe se nuk mund të kërcënohet nga asnjë shtet tjetër sado i madh të jetë ai.
Për të kuptuar më mirë sjelljen e dhunshme të shtetit kinez ndaj Tajvanit, duket të kuptojmë së pari çështjen e të drejtave të njeriut në Kinë. Sepse pikërisht nga këtu fillon modeli i të qeverisurit me përgjegjshmëri duke respektuar në rradhë të parë qytetaret dhe shtetet fqinje.
Një tjetër kategori e cila po vuan mosrespektimin e të drejtave të njeriut është ajo e avokatëve, aktivistëve dhe shoqërisë civile të angazhuar në këtë kauz. Autoritetet kineze kanë arrestuar dhe ndaluar qytetarë të spikatur dhe me vokacion të fuqishëm në fushën e të drejtave të njeriut. Në 5 vitet e fundit është rregjistruar numri më i lartë i personave që i përkasin kësaj kategorie dhe që kanë vuajtur dënime të bazuara mbi akuza tërësisht politike. Në paraburgim ju është hequr mundësia e takimit me familjarët dhe shumë prej tyre thuhet që janë keqtrajtuar dhe torturuar në këto ambiente. Ndërkohë ata të cilët lirohen, monitorohen periodikisht nga autoritetet kineze duke ju ushtruar presion dhe duke ju kufizuar lirinë e lëvizjes.
Yu Wensheng një avokat i shquar kinez është arrestuar dhe dënuar me 4 vite burg pikërisht se ka mbrojtur të drejtat e qytetarëve kinez. Vetëm pas dy vitesh atij i është lejuar të takoj bashkëshorten e vet. Sipas gruas së tij, ai ishte i kequshqyer dhe i sëmurë. Një tjetër rast në mijëra është edhe ai i studiuesit të shkencave juridike Xu Zhiyong dhe avokatit Ding Jiaxi të cilët u lejuan të flisnin me avokatët e tyre vetëm pas shumë muajsh nga momenti i arestimit. Të dy ata treguan se ishin torturuar duke u lidhur në një karrige hekuri për më shumë se 10 orë në ditë për disa ditë rresht. Ata akuzohen për “përmbysje të pushtetit shtetëror” në Kinë.
Lira e shprehjes si një nga gurët më të rëndësishëm në themelin e demokracisë është goditur fuqishëm nga qeveria kineze përmes ligjeve speciale dhe urdhërave shtetëror. Kontrollet dhe kufizimet e rrepta mbi lirinë e shprehjes edhe në botën e internet vazhduan pas asaj të medias tradicionale. Autoritetet kineze kanë bllokuar Clubhouse, një aplikacion audio i përdorur nga mijëra njerëz në të gjithë Kinën për të diskutuar tema të ndryshme, duke përfshirë Xinjiang dhe Hong Kong. Ligji për Mbrojtjen e Informacionit Personal hyri në fuqi menjëherë, duke rregulluar më tej hapësirën kibernetike dhe duke lokalizuar të dhënave e përdoruesve. Rrjetet sociale në pronësi të Microsoft dhe LinkedIn tashmë janë mbyllur pasi për qeverinë kineze duken shumë sfiduese për tu kontrolluar dhe të papërshtatshme me sigurinë kombëtare.
E vetmja gazetë e përditshme pro demokracisë në Hong Kong. Apple Daily u detyrua të ndërpresë aktivitetin pasi policia arrestoi themeluesin e saj Jimmy Lai, 5 drejtues të lartë dhe 2 redaktor. Policia akuzoi gazetën për “bashkëpunim me forcat e huaja” sepse ajo kishte botuar disa artikuj në lidhje me sanksionet e vendosura ndaj zyrtarëve të qeverisë kineze dhe Hong Kongut nga qeveritë e huaja. Autoritetet kineze më pas sekuestruan 2.32 milionë dollarë të aseteve në pronësi të kompanive të lidhura me Apple Daily.
Po ashtu drejtuesit e lartë dhe anëtarët e bordit të Stand News u arrestuan për “botimet rebele” në gazetën online. Oficerët e policisë të sigurisë kombëtare bastisën median e lajmeve online dhe autoritetet konfirmuan se sekuestruan afërsisht 7.8 milionë dollarë asete. Stand News pushoi së funksionuari në të njëjtën ditë me Apple Daily. Qeveria nuk u mjafua me kaq por përkundrazi ajo vijoj të ristrukturojë dhe riorganizojë sipas linjës politike të partisë komuniste televizionin publik “Radio Televizioni Hong Kong (RTHK)”, duke hequr të gjitha videot që gjendeshin në arkivën e saj në internet, duke shkarkuar drejtuesit që ishin kritikë ndaj qeverisë, si dhe duke anuluar emisionet që nuk ndiqnin linjat zyrtare të qeverisë.
Represiviteti i kufizimit të qytetarëve kinez ndaj informacionit, komunikimit dhe lirisë së shprehjes përmes rrjeteve sociale ka arritur në nivele të frikshme pasi gjithcka është e diktuar nga partia- shtet ngjashëm si në diktakurën komuniste të Enver Hoxhës. Qytetarët kinez po vuajnë pasojat e një shteti autokratik dhe të një lideri komunist që kërkon të transferoj ndërgjegjen njerëzore në analet e partisë komuniste. Shteti kinez po përpiqet t’i kundërvihet normave dhe parimeve më të larta që ka njohur historia njerëzore duke sulmuar fjalën e lirë, dinjitetin njerëzor dhe të drejtat themelore të njeriut.
Ne si shqiptar duhet t’i rikujtojmë vetes shpesh të kaluarën komuniste, por edhe pushtimet e huaja që i kemi vuajtur gjatë mbi kurriz për të kuptuar rëndësinë e asaj çka po ndodh sot në botë, por edhe për të vlerësuar çmimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave themelore të njeriut. Bazuar në këtë analizë ne si qytetarë të botës së lirë duhet të pozicionohemi në anën e duhur të historisë duke dënuar çdo akt që cënon paqen, sigurinë dhe jetët njerëzore.