A po e ‘’shet’’ Edi Rama zëvendësen e tij, Belinda Balluku?

0

Shkruan Zef Ndreka

Spaku e thirri Ballukun dhe po e heton në gjendje të lirë, për ndikim në barazinë e tenderave publikë.
Pavarësisht se ka më shumë se një vit nga zërat për këtë, sot ndodhi ajo që pritej ne fakt. Pa paragjykuar si do shkojnë hetimet, një gjë është e sigurtë, se zonja Balluku është futur veç të tjetave edhe në lojën e sfidës së brendshme në Partinë Socialiste.
Në qeverinë Rama, Belinda Balluku është një prej figurave më të dukshme dhe më të ekspozuara publikisht, së bashku me zonjën tjetër Spiropali.
Të dyja zonjat kanë marrë disa nga portofolët më të rëndësishëm në qeveri.
Konkretisht, Balluku ka marrë Infrastrukturën dhe energjinë, projektet strategjike kombëtare,
si dhe është shpallur Zëvendëskryeministre, pra e dyta pas Ramës në hierarki.
Kjo e ka bërë një nga figurat që shpesh është përfolur si pasardhëse potenciale nëse Rama tërhiqet, largohet etj.
Dhe pikërisht këtu nis dilema, ku në PS, askush nuk mund të rritet aq shumë, pa u parë si rrezik për kryeministrin.
Kjo lidhet gjithnjë me strategjinë perherëshme të Ramës që i ngrit, i ekspozon, e më pas i teston në publik dhe në PS.
Kështu pra, mund të themi se Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, ka ndërtuar një model të përsëritur politik, duke e ngjitur një figurë të re, i jep pushtet real dhe publicitet, pastaj e lë të përballet me kritika e akuza, duke i qëndruar në distancë dhe në fund vlerëson reagimin publik. Më pas merr vendimin nëse e mban apo e flijon.
Praktikisht ky model u pa tek Arben Ahmetaj, dikur krahu i djathtë i Ramës, më pas i “flijuar” politikisht. U pa tek Damian Gjiknuri, që u ul gradualisht në hierarki, tek Veliaj që ndodhet ende në burg, së fundmi tek Belinda Balluku.
Tani siç duket, Rama po e le Ballukun të përballet e vetme me sulmet për tenderat, koncesionet, dhe projektet strategjike, duke mos i dalë publikisht në mbrojtje, ashtu si bënte dikur me të sipër përmendurit.
Kjo është shenjë se ai po e teston durimin dhe qëndrueshmërinë e saj.
Po a mund të thuhet sot se kjo është shenjë e distancimit?!
Faktikisht në muajt e fundit janë vërejtur disa sinjale ku Rama rrallë e ka përmendur Ballukun në fjalime.
Në disa dalje të fundit, e ka ironizuar lehtë, sidomos në projektet infrastrukturore.
Ndërsa në PS, po flitet gjithnjë e më shumë për figura të tjera që afrohen te qendra, si Blendi Gonxhja apo Mirela Kumbaro, që Rama i përdor për ta balancuar ndikimin e Ballukut.
Siç ndodh rëndom, mun të themi se në politikën e brendshme të PS-së, kjo është një mënyrë e rafinuar për të dobësuar gradualisht një figurë, pa e shkarkuar.
Lidhur me pyetjen në krye të analizës, cilat janë motivet e mundshme të “shitjes”?
Kryeministri Rama, mund të ketë disa arsye pse po e “largon nga hija e tij”, që lidhën me presionin ndërkombëtar, ku disa projekte që menaxhon Balluku kanë pasur vërejtje nga BE dhe FMN.
Ndërkohë, Rama nuk lejon që askush të ketë profil më të fortë publik se ai.
Po ashtu, rivalitetet brenda PS-së me figura të tjera si Spiropali apo Kumbaro etj, kërkojnë hapësira.
Si strategji elektorale, Rama mund ta sakrifikojë Ballukun si “valvul shkarkimi” për pakënaqësitë e publikut, pa e prekur drejtpërdrejt imazhin e tij.
Si përfundim, Belinda është e shitur, siç e meriton. Rama po e “sheh” plotësisht dhe pjesërisht po e “shet” Ballukun, për ta mbajtur nën kontroll.
Siç ndodh në politikë, “shitja” nuk vjen me një akt të vetëm, por me heshtje të qëllimshme.
Rama nuk do ta rrëzojë Ballukun menjëherë, sepse i duhet si figurë e fortë, grua, teknike dhe e pranueshme ndërkombëtarisht.
Por ai po ia shkurton hapësirën e lirisë, duke e lënë të ndjejë e të kuptojë që çdo pushtet që ka, ia ka dhënë ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu