Avokati Spartak Ngjela, ka folur dje në lidhje me procesin gjyqësor për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në një intervistë televizive ditën e djeshme, Ngjela ka treguar se si do të veprohet në rastin e Belerit. Ai tha, se deri në momentin që të ketë një dënim të formës së prerë nga gjykata, Beleri prezumohet i pafajshëm dhe nuk mund t’i ndalohet dot e drejta për t’u mandatuar në krye të bashkisë së Himarës. Avokati theksoi se e vetmja pengesë është betimi përpara Këshillit Bashkiak, për të cilin mund t’i japin leje ta kryejë. Por, Ngjela theksoi se në optikën e tij provat janë të plota dhe Beleri do të dënohet nga gjykata përpara se të mbarojë afati i betimit si kryebashkiak.“Beleri prezumohet i pafajshëm. Pavarësisht se është i arrestuar, nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë. Deri në momentin që nuk ka një vendim të formës së prerë nuk e ndalon dot njeri ligjërisht që ata që e kanë zgjedhur të vijojnë procedurën. Deri këtu jemi në një proces normal. Por ai është në burg dhe nuk ka mundësi të bëjë betimin. Ose do ta lejojnë të bëjë betimin dhe të kthehet në burg, por bërja e betimit ka një afat i cili duhet të respektohet”, deklaroi ai. Më tej Ngjela u shpreh se ligji thotë se një kryetar bashkie që dënohet me një vendim të formës së prerë nga gjykata i hiqet mandati. Ai theksoi se pasi të mbarojnë dy gjyqet e tij do mund të dënohet. “Por duhet të sqarojmë një gjë se nuk ka shpresë të jetë kryetar i bashkisë së Himarës. Pasi ligji thotë që një kryetar bashkie që dënohet me një vendim të formës së prerë nga gjykata, nuk mund të jetë më kryetar bashkie, i hiqet mandati. Pasi të dalë në gjyq dhe gjyqin do ta bëjnë shpejt. Pasi të mbarojnë dy gjyqet e tij, ku prokuroria ka provat e plota, do dënohet me një vendim të GJKKO dhe vepra penale që ka bërë është nga 1 vit deri në 5 vjet. Nëse ai dënohet nuk do të mund të jetë më kryetar bashkie”, nënvizoi Ngjela.