A është ky fundi i perandorisë Soros?

0

Shkruan Thomas Fazi, UnHerd

Edhe në tërheqje, perandoria e Sorosit komandon një histeri të ethshme. Kur dhjetorin e kaluar, 93-vjeçari George ia dorëzoi më në fund kontrollin e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur (FSHH) djalit të tij 37-vjeçar, Aleksandrit, shumë nga mbështetësit e tij liberalë pyetën veten nëse ky ishte fillimi i fundit. Tani, frika e tyre më e keqe duket se është konfirmuar: nën maskën e një ndryshimi radikal të drejtimit strategjik, FSHH duket se po tërhiqet efektivisht nga Europa, ndërsa stafit i është thënë se organizata do të ndërpresë në masë të madhe fondet brenda Bashkimit Europian.
Në mënyrë të parashikueshme, lajmoi dërgoi një valë paniku në zemër të establishmentit progresist të Europës, i cili prej kohësh e ka parë Sorosin e Vjetër si një aleat vendimtar në luftën kundër të djathtës populiste- dhe që mbështetet shumë te FSHH për financime. Me kalimin e viteve, Shoqëria e Hapur ka dhuruar miliarda për OJQ-të e panumërta evropiane, për institutet e mendimit dhe organizatat meditiatike, të cilat nuk i kanë pritur mirë raportimet për tërheqjen e Sorosit në këtë shkallë.

Duke u përballur me akuzat se tërheqja e FSHH nuk mund të vinte në një kohë më të keqe për projektin evropian, Soros i Riu nxitoi të sqaronte se FSHH thjesht po e zhvendoste projektin e saj më në lindje, te vendet jo-anëtare të BE-së në Ballkan- dhe më e rëndësishmja, në Ukrainë, ku Soros ka mbështetur organizatat pro-perëndimore për dekada- në mënyrë që ato vende të punojnë drejt anëtarësimit në BE dhe të kundërshtojnë ndikimin rus. “Bashkimi Europian ende qëndron si një fener global i vlerave që formësojnë punën tonë,” siguroi ai.

Ka dy mënyra për ta parë këtë. E para është se FSHH e konsideron misionin e saj për të siguruar një konsensus liberal-progresiv në BE si të kryer në një masë të madhe, dhe tani për këtë arsye mund të kalojë në zona më të lëna mbrapa nga e majta në kontinent. Nëse marrim parasysh ideologjinë që mbizotëron në mesin e elitave kulturore dhe establishmentit të Brukselit, dikush mund të anojë me të drejtë drejt këtij përfundimi. E dyta është më pak komplementare dhe e sheh vendimin e organizatës për t’u tërhequr nga BE-ja si një pranim të humbjes përballë valës së djathtë- populiste që ka përfshirë kontinentin, pjesërisht si një reagim ndaj ideologjisë liberal-progresive të promovuar nga njerëz si Soros (dhe natyrisht, vetë BE).

Kjo do të shpjegonte vendimin e Sorosit të Ri për t’u përqendruar më shumë në SHBA, me qëllimin e deklaruar se Trump, një republikan i stilit MAGA, skeptik ndaj BE-së dhe NATO-s, i cili kërkon t’i japë fund luftës në Ukrainë, nuk do të vijë në pushtet. Nëse Sorosët e kanë humbur betejën në kontinentin e vjetër, shmangia e një disfate të ngjashme në Amerikë do të bëhej natyrshëm një imperativ.

Se cili është qëndrimi i njerëzve për çështjen e Sorosit, kjo varet natyrisht nga prirja politike e secilit dhe ky është problemi. Ashtu si me shumë çështje sot, mesa duket lejohen vetëm dy qëndrime në diskutimin rreth Sorosit: ose ju besoni se ai është bartësi standard i demokracisë liberale, një mbrojtës trim i të drejtave të njeriut, lirisë dhe pluralizmit- ose duhet të jemi në mënyrë të pashmangshme një i djathtë- një teoricien konspirativ antisemitik, i cili beson se ai është një lojtar djallëzor marionetash, i prirur për të dominuar botën.

Një shembull i tillë është dokumentari i BBC i vitit 2019 ‘Dosjet e konspiracionit’, i cili fokusohet ekskluzivisht në teoritë më të egra të konspiracionit që rrethojnë Sorosin: nga pretendimi se ai është përgjegjës për vërshimin e qëllimshëm te emigrantëve në Europë dhe SHBA e deri te besimi se ai organizoi një fushatë me bomba postare të rreme për të delegjitimuar Trumpin. Implikimi i pakuptimtë është se çdo kritikë ndaj Sorosit është thjesht një përsëritje moderne e tropit antisemetik të ‘përbindëshit hebre, një manipulues global që mund të fajësohet për të gjitha të këqijat dhe problemet’, siç tha një i intervistuar nga qendra ‘Simon Wiesenthal’.

Tani është e qartë se ka shumë njerëz që e urrejnë Sorosin për shkak të trashëgimisë së tij hebraike. Por është po kaq e qartë se akuzat për antisemitizëm përdoren sot për të heshtur këdo që ngre shqetësime legjitime për Sorosin, asnjëra prej të cilave nuk ka të bëjë me prejardhjen e tij hebreje.

Në vitin 2019, siç e mbani mend, i ndjeri Roger Scruton u shkarkua nga roli i tij si këshilltar i qeverisë për strehimin pas një interviste në ‘New Statesman’, në të cilën ai përsëriti pretendimin e tij se ka një perandori të Sorosit në Hungari. “Kushdo që nuk mendon se ka një perandori të Sorosit në Hungari, nuk i ka vëzhguar faktet,” tha ai, një pretendim që revista e përshkroi si antisemitik. Megjithatë, pas shkarkimit të Scruton, ‘New Statesman’ u detyrua të pranonte se artikulli nuk përfshinte pjesën tjetër të deklaratës së Sir Roger se ‘nuk është domosdoshmërisht një perandori hebrenjsh, kjo është kaq e pakuptimtë’. Sekretari i Strehimit, James Brokenshire më pas kërkoi falje për shkarkimin e Scruton dhe e riemëroi atë, duke e pranuar se fjalët e tij ishin keqinterpretuar.

Ky është vetëm një shembull i mënyrës se si është bërë praktikisht e pamundur të ketë një debat të arsyetuar rreth Sorosit dhe fondacionit të tij. Sigurisht, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në vitin 2003, vetë ‘New Statesman’ publikoi një profil për Sorosin, ku ‘perandoria’ e tij përshkruhej në terma shumë të ashpër. Siç theksonte artikulli: “Në vitin 1984, Soros themeloi Institutin e parë të Shoqërisë së Hapur (pararendësi i FSHH) në Hungari dhe derdhi miliona dollarë në lëvizjet opozitare dhe mediat e pavarura. Mesa duket me synimin për ndërtimin e një ‘shoqërie civile’, këto iniciativa u krijuan për të dobësuar strukturat ekzistuese politike dhe për të hapur rrugën për kolonizimin përfundimtar të Europës Lindore nga kapitali global”. Në fakt, artikulli vinte në dukje se Soros u angazhua në aktivitete të ngjashme në të gjithë Europën Lindore gjatë viteve ‘70 dhe ’80, duke luajtur një rol vendimtar në rënien e komunizmit në rajon. Në dekadat në vijim, Soros e përdori Universitetin e tij të Europës Qendrore, të themeluar në Budapest në vitin 1991, për të ‘propaganduar pa turp etosin e kapitalizmit neoliberal dhe për të klonuar brezin e ardhshëm të liderëve pro-amerikanë në rajon’.

20 vjet më parë, pretendime të tilla ishin mjaft të pakontestueshme- dhe, interesant, kishin më shumë gjasa të vinin nga e majta sesa nga e djathta, siç mund të pritej përballë një miliarderi që e bëri pasurinë e tij duke spekuluar në mënyrë agresive në tregjet financiare dhe më pas përdori pasurinë dhe fuqinë e tij për të ‘amerikanizuar’ dhe rimodeluar vende dhe shoqëri të tëra në kallëpin e kapitalizmit neoliberal. Në fakt, Universiteti i tij i Europës Qendrore nuk e fshehu misionin e tij për të ndihmuar në ‘edukimin e një korpusi të ri udhëheqësish të Europës Qendrore’.

Me kalimin e viteve, perandoria filantropike e Sorosit është zgjeruar përtej Europës Lindore. Sot ajo operon në më shumë se 120 vende dhe mbështet një sërë kauzash: nga të drejtat e romëve dhe lëvizja ‘Black Lives Matter’ deri të fushatat e ndryshme kundër Brexit dhe transaktivistët. Kohët e fundit, Ben Scallan, një gazetar dhe komentator irlandezo-xhamajkan, pohonte se OJQ-të e lidhura me Sorosin po shtrembërojnë statistikat për të treguar një rritje të madhe të krimeve të urrejtjes në të gjithë Irlandën, pavarësisht se të dhënat e vetë qeverisë tregojnë të kundërtën, në mënyrë që të rrisin mbështetjen për një ligj të propozuar për gjuhën e urrejtjes, që do të kufizonte seriozisht lirinë e fjalës.

Çështja këtu nuk është se çfarë mendon dikush për këto shkaqe, disa prej të cilave mund të jenë vërtet të denja për mbështetje: Çështja është nëse është e pranueshme, në shoqëritë demokratike, që një individ i vetëm të përdorë pasurinë dhe ndikimin e tij- ose në rastin e Aleks Soros, pasurinë dhe ndikimin e trashëguar të babait- për të formësuar kulturën dhe politikën e kombeve të tëra.

Nuk është çudi që kohët e fundit, ka pasur një reagim në rritje kundër Sorosit në shumë vende, para se gjithash- për ironi, në vendin e tij të origjinës, në Hungari. Në vitin 2018, qeveria e Viktor Orbanit, pasi akuzoi Sorosin dhe FSHH-në për inkurajimin e emigracionit në Europë dhe minimin e kulturës kombëtare të Hungarisë, përfundimisht e detyroi FSHH-në dhe Universitetin e Europës Qendrore të largoheshin nga vendi dhe të zhvendosnin zyrat e tyre përkatësisht në Berlin dhe Vjenë.

Sa i përket faktit se aktivitetet e Sorosit kanë shkaktuar gjithashtu një gamë të gjerë teorish të egra konspirative, ka pak dyshime. Por kjo ndodh pikërisht sepse kritikat legjitime janë përjashtuar nga debati publik. Në fund të fundit, nuk ka asgjë veçanërisht origjinale apo konspirative për këtë çështjen e perandorisë filantropike të Sorosit: ajo është thjesht një nënprodukt i kapitalizmit të papërmbajtur dhe oligarkëve që fuqizon në mënyrë të pashmangshme. Përgjatë historisë, klasat dominuese janë përpjekur gjithmonë të gjenerojnë forma të reja të “njohjes së politikave” që konvergojnë me interesat e tyre. Në shekullin e 19-të, për shembull, industrialistët dhe baronët grabitës më të famshëm të Amerikës – Carnegie, Stanford, Cornell, Johns Hopkins, Rockefeller – të gjithë themeluan universitete pikërisht për këtë qëllim. FSHH, ashtu si Fondacioni Bill & Melinda Gates, thjesht përfaqëson mishërimin bashkëkohor të kësaj tradite shekullore.

Megjithatë, nëse Soros beson sinqerisht në drejtësinë e kauzave që ai sponsorizon, ose nëse ai mendon se ato u shërbejnë interesave të tij materiale, është jashtë çështjes. Sepse në zemër të saj, “filantropia”, kur bëhet fjalë për ushtrimin e një ndikimi kaq masiv mbi qeveritë dhe shoqëritë, është në thelb antidemokratike – dhe duhet të kundërshtohet para së gjithash mbi baza të tilla. Në këtë kuptim, me të gjitha aspektet e tij të diskutueshme, shtytja kundër “sorosizmit” në Evropë dhe gjetkë duhet të shihet si një reagim demokratik nga një organ politik që ndihet gjithnjë e më i zhveshur nga elitat globale. Megjithatë, nëse do të jetë efektive, duhet të trajtojë edhe sistemin ekonomik dhe institucional, pjesë e të cilit është BE-ja, që krijon në radhë të parë oligarkë të tillë si Soros.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu