Kisha menduar se ndarja me Berishën kur ai u shpall familjarisht non grat-a nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, do të mblidhte rreth PD-së zyrtare njerëz të qartë, të fortë, qëndrestarë, jo servilë, jo mediokër, jo spiunë, që më kot shpresojnë të zevëndësojnë në pushtet e qeverisje demokratët mbështetës të Berishës. Historia në politikë nuk përsëritet.
Kisha menduar se grupi i këtyre përsonave të vetëquajtur qëndrestarë, do të kishin minimumi integritetin të kërkonin shpjegime nga Basha duke i drejtuar atij pyetjen:
Përse nuk po ndahet dot nga berishizmi?!
Kjo do të ishte pyetja me minimale, më e thjeshta për Lulzim Bashën i cili ka qepur gojën, apo është “ngujuar” edhe ai si babai i tij shpirtëror, Berisha.
Si do të fitojë ai?!
Nga kush pret të marrë vota e të marrë përgjegjësi për pushtetin?!
Duke pritur,duke heshtur? Pa punë, pa ide, pa lëvizje, pa sakrifica?!
A e dëgjuat dje çfarë diskursi skandaloz mbajti tek 33-vjetori i RD?! Ska faj, se atëherë ka qënë me pantallona të shkurtëra!
Pastaj ju ngarkojmë fajin gazetarëve dhe opinionistëve që me të drejtë e bëjnë copë dhe Luli i PD-së, pra Lulzim Basha, s’ka sy e faqe të dalë përballë mediave. Ndoshta Basha po pret ti turret përsëri Rama e ti thotë:
“Guri, Guri, hajde se po na rrahin!”
Dhe Luli e PD-së ul kokën e qesh me vete sepse 7×7=42! ose 7×7=75 deputetë në parlament që votuan për heqjen e imunitetit të Babës
shpirtëror, kurse Basha i PD-së zyrtare që ka mbetur bashkë me një grusht deputetësh, nuk votoi fare, por hante byrek dhe bënte DJ në Night Club me ca që i besojnë akoma gënjeshtrave dhe mashtrimeve të tij!
Kisha menduar se demokratët mbështetës të Bashës, që në fillim, dhe që nuk u bashkuan iu bashkuan Foltorës, do të kuptonin se për Shqipërinë sot është më imediate se kurrë pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste. Pra , kisha besuar se krahas kësaj, nuk do mbështetëshin pengmarrësit e asaj parcele të vogël demokratesh të quajtur PD zyrtare, e cila ka vëndosur të rrijë në kufijt e 4%.
Ky do të jetë shumë shpejt zhgënjimi më i madh i mbështetësve të mashtruar e të gënjyer nga Basha, ashtu siç janë zhgënjyer nga Berisha.
Së paku Berisha ka kërkuar ndjesë për gabimin fatal që ka bërë në politikë me përzgjedhjen që i ka lënë mbi kurriz demokratëve.
Këtë do e besojmë shumë shpejt sapo dosjet e interesave kriminale të klaneve pengmarrëse të PD-së të hetohen për bëmat e tyre, aty ku do të dalin emra, e do të ngecën peshq të mëdhenj, peshq të tjerë që ju kanë shërbyer peshqëve hajdutë te Shqipërisë.
Drejtësia do të shkojë deri në fund, madje shpejt deri tek Edi Rama, njeriu që ashtu si paraardhësi i tij, mban lidhjet e krimit dhe korrupsionit, duke mbajtur peng proçeset e integrimit të vendit.
Demokratët, thellësisht duhet të besojnë se rruga e vetme e shpëtimit të PD-së( nqs ka mbetur) është nënshtrimi i një procesi përbashkues, nënshtrimi të thellë të rinovimit dhe hapjes ndaj profesionistëve dhe intelektualëve që nuk i krehin bishtin Lulzim Bashës, që kanë kapacite të ndajnë vlera dhe vizione të qarta për një Shqipëri europiane.
Ka ardhur koha e bashkimit të të gjitha energjive, e gjithë forcave njerëzore e politike për t’i dhënë fund tranzicionit, që i ka ardhur në majë të hundës shqiptarëve nga kjo klasë politike. Ndryshe, po arkivohet PD-ja!