Shkruan Zef Ndreka
Për sa kohë Sali Berisha do të vazhdojë të gëlojë mbi skenën politike shqiptare, hija e së shkuarës do të vazhdojë të rëndojë mbi të tashmen me zjarr, përplasje, shkatërrim dhe një konflikt politik që nuk mbaron kurrë.
Nga viti 1997 deri tek Shqipëria e vitit 2026, mbetet I njëjti shqetësim:
Sa duhet të paguajë ende ky vend për liderë që nuk dinë të largohen?
Por përgjegjësia nuk është vetëm e tyre. Është edhe e një sistemi që i ka ricikluar, e partive që i kanë mbajtur në këmbë, e shoqërisë që i ka toleruar dhe e partnerëve ndërkombëtarë që në emër të “stabilitetit”, shpesh kanë mbyllur sytë përballë deformimeve të demokracisë shqiptare.
Nëse duam ta themi me një dozë ironie të hidhur, në analizë të fundit, fajin e kanë… GRINGOT!
Jo sepse Amerika i ka shkaktuar plagët tona. Por sepse politika ndërkombëtare nuk mund të kërkojë një Shqipëri demokratike duke pranuar pafundësisht të njëjtët protagonistë të tranzicionit.
Megjithatë, përgjegjësia e parë dhe e fundit mbetet e jona.
Shqipërinë nuk mund ta shpëtojnë të huajt nga politikanët që vetë shqiptarët vazhdojnë ti mbajnë gjallë politikisht.




