Sot nis muaji i shenjtë i Ramazanit, një nga periudhat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë në mbarë botën. Muaji i nëntë i kalendarit islamik hënor shënon kohën e agjërimit, reflektimit shpirtëror dhe forcimit të lidhjes me besimin.
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe konsiderohet detyrim për çdo besimtar të rritur që nuk ka probleme shëndetësore. Nga agimi deri në perëndim ndalohet konsumimi i ushqimit dhe pijeve, si dhe marrëdhëniet intime, duke u fokusuar te vetëpërmbajtja dhe përkushtimi shpirtëror.
Ramazani njihet si muaji i durimit, vetëkontrollit dhe lutjes, një ftesë për reflektim mbi përgjegjësitë ndaj Zotit, familjes dhe shoqërisë. Ai përkujton zbritjen e parë të Kuranit te profeti Muhamed, ndërsa brenda tij ndodhet edhe Nata e Kadrit, e konsideruar nata më e vlefshme e vitit.
Muaji përmbyllet me festën e Fitër Bajramit. Autoritetet fetare kanë bërë thirrje që kjo periudhë të kalohet me paqe, solidaritet dhe përkushtim, duke theksuar rëndësinë e vlerave shpirtërore dhe njerëzore që përcjell Ramazani.








